Zbulim arkeologjik në Fier

    0

    Një varrezë antike është zbuluar në afërsi të fshatit Havaleas, pranë Apolonisë. Zbulimi u krye gjatë punimeve të bypass-it të Fierit.

    Bëhet fjalë për varre të shekullit të katërt dhe të tretë para erës sonë dhe që vërteton se Apolonia ishte e rrethuar me vendbanime rurale.

    “Kemi gërmuar një sipërfaqe mbi 1500 metra katror. Në rreth 50 metra katrore ka gjurmë arkeologjike, të cilat janë kryesisht varre të periudhës së katërt dhe të tretë para erës sonë. Aktualisht jemi duke eksploruar për të lënë të lirë punimet për rrugën”, u shpreh arkeologu Vangjel Dimo.

    Varret e lashtë të zbuluara në afërsi të fshatit Havaleas kanë brenda tyre enë qeramike. Deri tani në muzeun e Apolonisë janë dorëzuar afërsisht 40 objekte.

    “Zbulimi ka rëndësi verifikuese për ekzistencën e komuniteteve rreth qytetit të Apolonisë”, shtoi Dimo.

    Zbulimi ka pezulluar punimet për bypass-in, por ky i fundit nuk do devijohet. Autostrada do të kalojë mbi varrezë pasi të merren prej saj të gjitha objektet me vlerë arkeologjike.