Vizita e Kryeministrit Edi Rama në Beograd është vënë në pikëpyetje nga autoritetet serbe

0

Tashmë është zyrtarisht e pohuar. Vizita e Kryeministrit Edi Rama në Beograd është vënë në pikëpyetje nga autoritetet serbe. Kryeministri Aleksandar Vuçiç deklaroi për Reuters se do të marrë një vendim në fund të kësaj jave nëse Edi Rama do të jetë apo jo i ftuari i tij në Beograd.
“Ne nuk kemi frikë të flasim, por duket se dikush tjetër nuk kërkon këtë, por kërkon të kërcënojë Serbinë dhe përhapë destabilitetin në rajon. Unë mund të shoh në sy atë dhe këdo tjetër”, deklaron kryeministri serb.
Megjithë garancinë për të dënuar maksimalisht autorët e sulmeve të sipërmarrjeve të shqiptarëve në Serbi, këto dy ditët e fundit, Aleksandar Vuçiç e bën këtë për një tjetër arsye.
“Unë ju bëj thirrje serbëve të mos demostrojnë papërgjegjshmëri. Detyrimi ynë është të demostrojmë diferencën mes nesh dhe atyre, të tregojmë më shumë seriozitet, më shumë përgjegjshmëri, që ne respektojmë të drejtat e minoriteteve dhe të drejtat e njeriut në të gjithë vendin”, thotë ndër të tjera Vuçiç.
E thënë në këtë mënyrë angazhimi i kryeministrit serb për të ndëshkuar autorët e sulmeve ndaj shqiptarëve që jetojnë në Serbi nuk përbën më lajm. Ajo që pranoi për herë të parë publikisht Aleksandar Vuçiç është pikëpyetja për takimin me homologun shqiptar, pikëpyetje që ai mesa duket e ka patur që përpara zhvillimit të ndeshjes.
Të paktën këtë lë të kuptojë fakti që Beogradi zyrtar nuk pati konfirmuar axhendën që protokolli shqiptar i ka nisur plot 10 ditë më parë, përmes selisë sonë diplomatike në Beograd dhe që është diskutuar në takimin e Ambasadorit tonë me Drejtorin e Kabinetit të Kryeministrit serb.
Por që nga dorëzimi i këtij projekt-drafti nuk ka ardhur asnjë përgjigjje e palës serbe, ndërsa pasditen e së enjtes protokolli i shtetit shqiptar i ka përcjellë, shoqëruar edhe me notë verbale Ambasadës serbe në Tiranë të njëjtin program.
Draft-axhenda  e propozuar nga protokolli shqipar përvec takimit me kryeministrin, presidentin, kryetaren e parlamentit serb dhe një shëtitje të lirë në Beograd të Kryeministrit Rama parashikon në ditën e saj të dytë vizitë në Preshevë dhe një fjalim të kreut të qeverisë sonë në qendër të Komunës së banuar me shumicë shqiptare, si dhe vizitën në Komunën e Bujanocit.
Por pas deklaratës së Kryeministrit serb nuk dihet cili do të jetë vendimi i Beogradit për takimin Vuçiç-Rama, që është ndërmjetësuar në Bruksel dhe Berlin.