Vetëm në 2017 në Ulqin u hapen rreth 70 hotele të vogla dhe të mesme

0

Ekonomia e çdo amvisërie është e lidhur ngusht me turizmin. Në këtë aspekt turizmi është një prej sektorëve më të rëndësishëm burimor për zhvillimin dhe ekonominë e qytetarëve të Ulqinit.

Ndonëse të dhënat institucionale për numra konkret vizitorësh janë kontradiktore nga ato që raportojnë agjencitë dhe shoqatat turistike, e vet operatorët turistik, gjatë viteve të fundit turizmi në këtë komunë ka patur rritje të ndjeshme.  Në këtë kuadër, dy janë referencat më të mira që mbështesin faktin se viti 2017 ka qenë një vit suksesi për turizmin në Ulqin.

Të dhënat nga agjencitë dhe shoqatat e turizmit lokale pranojnë se në Ulqin ka patuar një rritje drastike të turistëve nga vendet e tjera krahasuar me vitin 2016. Vendin e parë e mbajnë turistët nga Ukraina që nga një vit më parë janë rritur me 48%, Hungaria me 42%, Belgjika me 41%, Bjellorusia me 33% apo Britania e Madhe me 22%. Më pak rritje kanë patur vizitorët nga Slovenia me 11% dhe Franca me 7%. Në vlerë totale turistët nga vendet evropiane janë rritur mesatarisht me 25% krahasuar me një vit më parë, çka dëshmon për një rritje solide edhe të turizmit elitar.

Një tregues tjetër cilësor e i rëndësishëm për rritjen e kërkesës turistike në zonën e Ulqinit është ndërtimi dhe rikonstruktimi i mbi 70 objekteve të reja të cilat ofrojnë shërbim hotelerie. Këto ndërtime fillojnë nga hotelet e vogla-të mesëm deri tek komplekset e mëdha siç janë Mediterrani apo Karisma.

Disa prej hoteleve që janë hapur rishtazi gjatë vitit të fundit mund të përmendim hotel Lajka Luxury, Hotel Franca, Bellevue, Hotel Bulevardi, Scandinavia, Cruiser, Continental, Golden Inn, Montefila, Zan, Apart Hotel Residence , Perla, Pine Hill, Villa Premier, Salina, rinovimi i Hotel Mediterran dhe së fundi dhe ardhja e investitorëve të grupit Karisma të cilët po i japin një pamje të re këtij sektori. Këto investime jo vetëm afrojnë turizmin elitar por nxisin zhvillimin e ekonomisë vendase dhe ulin numrin e papunësisë në zonën e Ulqinit.

Të pyetur nga redaksia e Lajmit, njëzëri, disa prej investitorëve dhe drejtuesve të këtyre hoteleve shprehen se vendimmarrja e tyre për të investuar në Komunën e Ulqinit kushtëzohet nga tri faktor kryesorë. Së pari, është vet natyra e bukur që zoti ia ka falur Ulqinit, investimet e fundit në infrastrukturë dhe lehtësimet proceduriale nga ana e Komunës së Ulqinit. Por një tjetër faktor që ka mundësuar rritjen e turistëve nga vendet Perëndimore siç janë Austria, Britania e Madhe, Franca dhe Belgjika, është dhe revitalizimi i jetës artistike-kulturore dhe i sporteve ekstreme në Ulqin, siç është kitesurfing.

Mbetet për tu parë sesa oferta turistike do të rritet edhe më tej kur dihet se aprovimi i planit të ri hapësinor për Komunën e Ulqinit i ka paraprirë rrugën investimeve të reja infrastrukturore nga kjo Komunë siç janë ai për modernizimin e rrjetit rrugor që do të bëjë të mundur afrimin më shumë me shqiptarët e Shqipërisë përmes hapjes të pikës së re kufitare të Bunës dhe zgjerimit të asaj të Sukobinës.