Vendet e Ballkanit bashkohen kundër ISIL

0

Vendet e Ballkanit po mbështesin koalicionin ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit (ISIL), një masë që ekspertët dhe zyrtarët thanë se do të ndihmojë rajonin të punojë së bashku për t’iu përgjigjur kërcënimit global terrorist të grupit.

Më shumë se 50 shtete janë bashkuar për të luftuar ISIL, një organizatë terroriste që do të krijojë një kalifat global.

Igor Tabak, një analist në Obris, një portal interneti që mbulon çështjet ushtarake, tha se është inkurajuese që të gjithë vendet e Ballkanit ranë dakord t’i bashkohen koalicionit.

“ISIL është një kërcënim i rrezikshëm. Ai kërkon bashkëpunim të fortë rajonal në Ballkan, me qëllim që të pengohen nisjet e banorëve vendas për në fushëbetejat në Siri dhe Irak. Shërbimet e fshehta të Ballkanit dhe zyrtarët duhet ta shohin këtë shumë seriozisht,” tha Tabak.

BiH kaloi një ligj në prill duke vënë afate burgu deri në 10 vjet për radikalët dhe rekrutuesit islamikë të dënuar.

Në fillim të shtatorit, gjykata shtetërore e BiH urdhëroi një paraburgim një-mujor për pesë islamikë të akuzuar me organizimin dhe rekrutimin e njerëzve për t’u bashkuar me luftëtarët në Siri dhe Irak.

Por zyrtarët thanë se BiH ka nevojë për të rritur përpjekjet e veta.

“ISIL dhe Islami radikal përfaqësojnë një kërcënim ndaj mbarë rajonit. Gjyqësori i BiH duket të jetë i papërvojë në trajtimin e një çështjeje të tillë dhe vullneti politik në parlament mungon ende,” tha Dushanka Majkiç, kryetar i Komitetit të Përbashkët mbi Mbrojtjen dhe Sigurinë e BiH.

“Aktualisht, ISIL është sfida më e fundit e sigurisë për mbarë rajonin. Të gjitha qeveritë në rajon, duhet të punojnë së bashku për t’u angazhuar në luftë kundër ISIL, pavarësisht se si janë politikat e tyre. Pas kësaj, ato duhet të krijojnë raporte për të ndjekur përparimin e tyre,” shtoi ajo.

Relativisht me popullsinë, BiH është vendi i renditur i pari në Europë për numrin e shtetasve që i janë bashkuar ISIL, sipas Agjencisë Qendrore të Inteligjencës. Deri tani, më shumë se 350 luftëtarë nga Bih i janë bashkuar ISIL; 83 xhihadistë i janë bashkuar nga Kosova dhe 46 nga Shqipëria.

Ekspertët thanë se rol vendimtar në vendet e Ballkanit në koalicion do të ketë inteligjenca.

“Ne nuk kemi raketa të drejtuara, aeroplanë dhe ushtritë tona janë shumë të vogla. Por qeveritë perëndimore shpresojnë se shërbimet tona të fshehta të vendit do t’u japin atyre informacion mbi ata që rekrutojnë luftëtarë për Sirinë, që financojnë nisjen e tyre dhe përhapin propagandën islamike. Nuk ka vend në rajon që nuk ka luftëtarë në ISIL. Për shkak të kësaj, të gjithë vendet e Ballkanit duhet të veprojnë si një komunitet inteligjence,” tha Zoran Dragishiç, një anëtar i fakultetit të sigurisë së Beogradit.

ISIL po shtyhet brenda Irakut nëpërmjet forcës brutale. Human Rights Watch raportoi se ISIL kreu ekzekutime në masë në qytetin Tikrit të Irakut. OKB tha se së paku 1.000 vetë, shumica civilë, u vranë në Irak në qershor ndërsa ISIL depërtoi në Irakun e veriut.