Vazhdojnë sukseset për klubin e karatesë “Ulqini”

0

Sezoni i dytë i garave për klubin e karatesë “Ulqini” filloi me plot suksese në tri garat në të cilat kanë marrë pjesë.

Në turneun “Kolasinski Pobjednik 2015”, i cili u mbajt më 25.10.2015 në Kollashin, Mali i Zi, klubi i karatesë “Ulqini” u rendit i dyti në renditjen e përgjithshme në mesin e 21 klubeve pjesëmarrëse me mbi 300 garues. Në vend të parë u rendit KK “Omladinac” nga Podgorica, kurse në vendin e tretë u rendit KK “Onogost” i Nikshiqit. Ky është një sukses i shkëlqyer për KK “Ulqini” dhe qytetin të cilin e përfaqësojnë, sepse lanë pas 20 klube të tjerë të fuqishëm duke fituar kupën e vendit të dytë të “Fituesit të Kollashinit”.

KK “Ulqini” në këtë turne mori pjesë me 21 garues, kryesisht të gjeneratave të reja, të cilët arritën të kurorëzohen me 34 medalje: 18 të arta, 9 të argjendta dhe 7 të bronzta.

Dy turnetë e tjerë ndërkombëtarë ku morën pjesë garuesit e KK “Ulqini” po në këtë sezon të garave janë mbajtur më 27 shtator 2015 në Nikshiq – “Kupa e Nikshiqit” dhe në Strugë “Struga Open 2015”, në të cilët garuesit e këtij klubi arritën të kurorëzohen me 11 medalje: 5 të arta, 2 të argjendta dhe 4 të bronzta. Në të dy garat KK “Ulqini” u paraqit me nga 4 garues, të cilët punuan në disiplinat individuale dhe ekipore. Pjesëmarrja me nga katër garues ishte për të respektuar ftesën dhe organizatorët, sepse pjesëmarrja me më shumë garues nuk ishte e mundur, pasi që garat kanë përkuar me festën e Bajramit.

Përmbledhje e shkurtër e disa rezultateve dhe paraqitjeve të KK “Ulqini” në sezonin e parë të garave 2015

Sukseset e arritura në sezonin e parë të vitit 2015 vazhdojnë edhe në sezonin e dytët ë garave për KK “Ulqini”, i cili tashmë po vërteton cilësinë e një pune profesionale të një tradite 40-vjeçare që mban mbi supet e veta. Edhe pse rrugëtimi ishte me plot vështirësi, ky klub edhe sot qëndron me arsye kokëlartë e krenar në mesin e klubeve më të mira në rajon, çka dëshmojnë trofetë e medaljet e shumta, lëvdatat, mirënjohjet e respekti i veçantë i miqve të panumërt nga çdo vend.

Ky klub disa herë është zgjedhur klubi më i mirë në komunën e Ulqinit, garuesit tanë sportistët më të mirë, trajnerët e punëtorët sportivë më të mirë. Edhe për vitin 2014 KK “Ulqini” është shpallur klubi më i mirë sportiv në komunën e Ulqinit, ndërsa anëtari i këtij klubi punëtori më i mirë sportiv. Kjo arritje ishte dhe një motivim edhe më i madh për KK “Ulqini” që edhe në vitin 2015 të punojë me të rinjtë tanë, duke vazhduar të korrë suksese në çdo garë ku merr pjesë. Po ashtu, në vitin 2015 ishte organizator i turneut tradicional ndërkombëtar “Ulqini Open 2015”, i cili organizohet për të 15-tën herë me radhë për nder të Ditës së Ulqinit, e këtë vit dhe për nder të 40-vjetorit të themelimit të klubit. Në këtë turne me pjesëmarrje na nderuan 63 klube nga 10 shtete me 851 garues, çka bëri që ky turne të vlerësohet si gara më e fuqishme e karatesë në rajon.

Sezoni i parë i garave deri në qershor për klubin e karatesë “Ulqini” ishte shumë i suksesshëm. Garuesit e këtij klubi morën pjesë në 16 gara, si në arenat vendore, kombëtare dhe në ata ndërkombëtare, në të cilat arritën të kurorëzohen më 183 medalje: 51 të arta, 68 të bronzta dhe 64 të argjendta.

Nga kampionatet shtetërore zyrtare të Malit të Zi, siç janë ato për fatosa, pionierë, shpresa dhe për seniorë, nga radhët e garuesve të KK “Ulqini” u shpallën 3 kampionë dhe 6 nënkampionë të Malit të Zi në disiplinat individuale, ndërsa nënkampionë të Malit të Zi u shpallën dhe 4 ekipe të tij. Me medalje të të bronzta në këto kampionate janë kurorëzuar 9 garues në disiplinat individuale dhe 4 ekipe në kata dhe luftëra.

Në Kampionatin Ballkanik të karatesë, garuesja e KK “Ulqini”, Diellëza Rama në gjeneratën e shpresave u rendit në mesin e 5 (pesë) më të mirave të Ballkanit në një konkurrencë shumë të fortë.

Po ashtu dhe në turnetë e tjera ndërkombëtare KK “Ulqini” ishte çdo herë ndër klubet më të mirë me suksese kulminante duke nderuar traditën e vet dhe emrin të cilin e mbajmë tash katër dekada, emrin e “Ulqinit florinit”, siç thotë një shprehje e vjetër popullore.

Tash, në këtë sezon KK “Ulqini” e presin edhe shumë turne të ndryshme ndërkombëtare deri në fund të dhjetorit dhe kampionatet shtetërore të Malit të Zi për Kadetë, Juniorë dhe -21 vjet U21, si dhe Kampionati Mbarëkombëtar, në të cilët shpresat janë të mëdha për arritjen e rezultateve të reja.

Të gjitha këto rezultate nuk janë nga një, dy apo tre garues, por janë rezultate të të gjitha gjeneratave, rezultate të një fuqie garuese, që arriten gjatë tërë vitit, duke filluar nga ajo e më të rinjve e deri në sendorë. Fuqia e një klubi vlerësohet dhe bazohet në rezultatet e arritura gjatë tërë vitit me të gjitha gjeneratat.

Të gjitha këto na frymëzojnë dhe na japin forcë që kjo traditë të vazhdojë, që ky klub të mbajë kokën lartë dhe që të jemi të gjithë krenarë për faktin se nga ky klub kanë dalë edhe të gjithë ata që sot udhëheqin klube të tjerë në komunën tonë. Me këtë rast i urojmë edhe për arritjet e tyre dhe i kujtojmë që të mos harrojnë prej ku kanë dalë dhe të ruajnë vlerat e një tradite shumë të gjatë dhe të pasur sportive.

Shërbimi informativ i Klubit të Karatesë “Ulqini”