Ulqini me më së shumti potencial për gaz dhe naftë

0

Mali i Zi dhe Kroacia po punojnë bashkë për të eksploruar për naftë në detin Adriatik, duke i bërë si rrjedhojë të dyja shtetet më atraktive për investitorë, si dhe duke i dhënë një shtytje ekonomisë rajonale.

Pas një takimi me kryeministrin malazez Djukanovic, kryeministri kroat deklaroi: “I kemi fokusuar diskutimet drejt asaj që është më e rëndësishme: eksplorimi i naftës dhe gazit në detin e Adriatikut. Jemi dakorduar për të bërë gjithçka në mënyrë që kërkimet të fillojnë sa më parë, si dhe që kufiri të mos paraqesë pengesë”.

Më 15 maj Mali i Zi ka bërë thirrjen e parë publike për kërkim të naftë dhe gazit në zonën e nëndetit, ku janë paraqitur 6 oferta.

Pritet që deri në fund të vitit të mbarojnë negociatat me secilën kompani dhe të fillojë kërkimi. Tenderi parashikon që Mali i Zi do të përfitojë 65% të të ardhurave totale nga zbulimi eventual i naftës dhe gazit.

Sipas të dhënave qeveritare, potenciali më i rëndësishëm është vlerësuar të jetë në Ulqin dhe në rajonin afër Kotorit në kufi me Kroacinë.

Gatishmëria për të bashkëpunuar gjithashtu konfirmon edhe pjesëmarrjen e përbashkët në një projekt shumë të rëndësishëm për gjithë rajonin – projekti i gazsjellësit Adriatiko-Jonian.