Ulqini me akua parkun më të madh në rajon

0

Sot në mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, pas një debati të gjatë dhe kundërshtimeve të këshilltarëve të PDS-së dhe UDSH-së, u aprovua vendimi për hapjen e tenderit për dhënien me qira të tokës së Komunës për ndërtimin e akua parkut. Toka në fjalë gjendet afër qendrës së Shtojit.

Sipas vlerësimeve paraprake, për ndërtimin e akua parkut duhet të investohen 4-5 milionë euro. Me këtë vendim krijohen kushtet për realizimin e një investimi të rëndësishëm, si fillim të investimeve serioze në komunën e Ulqinit. Akua parku do të jetë më i madhi në Ballkanin Perëndimor, çka do të pasurojë ofertën turistike dhe do të tërheqë vëmendjen e investitorëve të tjerë në këtë lëmi.

Për ndërtimin e këtij parku është e interesuar kompania lidere botërore në ndërtimin e akua parqeve, Polin. Ndërtimet pritet të fillojnë nga fundi i këtij viti dhe të mbarojnë nga prilli i vitit të ardhshëm.