Ulqini mbetet edhe pa një investim?

0

Edhe pse Kuvendi Komunal i Ulqinit solli vendimin për dhënien me qera te tokës në Shtoj në një afat prej 30 vitesh, me qëllim të realizimit të projektit për ndërtimin e aquaparkut, sipas vendimit te Komisionit për kthim dhe dëmshpërblim në Tivar nga java e kaluar, familja Rudoviq ka fituar mbështetje dhe iu është aprovuar ankesa për kthimin e pronës.

Sidoqoftë, Sekretari për mbrojtje të pasurive të Komunës së Ulqinit, Gëzim Haxhibeti, konfirmon vendimin për restitucion, ku është e përfshier edhe kjo parcele katastrale, por poashtu njofton që ky vendim nuk është i plotfuqishëm dhe që Komuna e Ulqinit do te reagoi në lidhje me këtë vendim brenda afatit ligjor prej 15 ditëve.

Një vendim i tillë shkakton stagnimin e fillimit të një periudhe shpresëdhënese për investime të mëdha në Ulqin nisur nga pushteti i mëparshëm, pasi që realizimi i aquaparkut është konsideruar të jetë pika fillestare drejt rrugës së rikthimit të pozitës së metropolës turistike në Mal të Zi. Sidoqoftë, Ulqini dhe qytetarët e tij janë mësuar me vendime të tilla, pasi qe bëhet fjalë për një skenar të ngjashëm me atë çfarë ndodhi me investitorin turk Rixos. Siç duket, çdo nismë ka një fat. Aktor të ndryshëm, skenar i njëjtë i cili gjithmonë përfundon në favor të çdokujt, por jo të Ulqinit.