Ulqini: 1990 – 2015. Nga përparimi në bankrotim

0

Ulqini para 25 viteve kishte të punësuar në sektorin publik dhe privat dy here më shumë njerëz sesa ka të punësuar sot.

Sipas statistikës që sot ka publikuar gazeta “Vijesti” , në Ulqin janë të punësuar rreth 1900 punëorë, numër që dikur gati e punësonte vetëm Riviera e Ulqinit (1700).

Përvec saj, Kriporja punësonte 515 punëtorë, Primorja 420, Albatros 102, Agroulqini 130, Otrantkomerc 230, Ultep 110, Prmorka 70, AD Kodra 40, Ferijalni 65 dhe Jadranprevoz 45.

Sipas kryetarit shumëvjecar të sindikatës komunale Shefki Keko Lamoviq, gjendja e punëtorëve në Ulqin është alarmante.

Shumë prej tyre nuk kanë marrë rroga prej 4-5 muajsh, dhe sipas Lamoviq, Ulqini pothuajse është qytet i bankrotuar.

Ai për këtë fajson privatizimet katastrofale, pushtetin lokal dhe qëndrimin indiferent të qeverisë.

Atë cka Lamoviq harron të përmend, ose nuk e përmend me qëllim, është qëndrimi i sindikatave ndaj këtij fenomeni 25 vjecar.

Gjatë gjithë këtyre shkatërrimeve, Lamoviq ishte kryetar i sindikatës komunale, dhe nuk mbahet mend të ketë ngritur zërin në opinion apo mbrenda subjektit politik ku ai aderon për këto probleme.

Është tepër e cuditëshme që një kryetar sindikate për 25 vjetë të mos organizojë asnjë grevë për problemet e punëtorëve dhe shkatërrimin që po ndodh, kurse sot numëron dështimet e qeverisë dhe partisë ku ai ishte anëtar dhe funksioner gjatë gjthë kohës.

Problemet e Ulqinit janë probleme të njohura të tranzicionit, të indiferencës dhe diskriminimit politik, të paaftësisë së “ekonomistëve” vendas, dhe të nepotizmit lokal e qëndror.

Shto këtu edhe “sindikalistët” me axhendë partiake dhe fitohet pamja e sotme.