Ullishtarët tanë duhet të mësojnë nga ato të Spanjës

0

Këshilltarja e Ministrisë së bujqësisë dhe zhvillimit rural, Dubravka Raduloviq, e cila pak kohë më parë ishte në Spanjë për trainim profesional, tha për portalin CdM se ullishtarët në Mal të Zi mund të mësojnë shumë nga përvoja spanjolle në kultivimin e ullirit.

Respektimi i standardeve të kultivimit, vjelja në kohën e duhur, përpunimi i vajit, promovimi i prodhimeve dhe bashkimi i prodhuesve të ndryshëm, janë karakteristikat kryesore të prodhimit të ullirit në Spanjë. Përvoja e Spanjës në këtë fushë mund të jetë shumë me vlerë edhe për prodhuesit në Mal të Zi, sidomos tani kur është miratuar edhe ligji i ri për kultivimin e ullirit dhe vajit, tha Raduloviq.

E pyetur nga gazetari se a është vështirë të aplikohet përvoja e tyre tek ne, ajo u përgjigj:

“Esenca është në kujdesin e duhur të pemëve të ullirit, vjeljen e duhur dhe përpunimin, paketimin dhe ruajtjen e vajit. Kështu veprojnë prodhuesit spanjoll. Tingëllon thjeshtë, por nuk është. Nëse nuk zbatohen të gjitha këto hapa në mënyrë adekuate atëherë prodhimi nuk do të jetë i mirë. Pothuajse e tërë sasia e vajit të ullirit të prodhuar në Spanjë është e cilësisë së shkëlqyer. Askund nuk mund të vërehen ullishta të mirëmbajtura keq. Të gjitha pemët janë në lartësi të ulët për të lehtësuar vjeljen dhe mirëmbajtjen. Ullinjtë përpunohen menjëherë pas vjeljes. Ata kanë një shumëllojshmëri sortash dhe kushte klimatike të mira,. Natyrisht, as Spanja nuk është imune ndaj motit të keq, sic edhe ishte këtë vit.”

Nuk mund të bëhen krahasime të sakta në mes Malit të Zi dhe Spanjës për sa i përket prodhimit të vajit të ullirit, tha ajo, pasi që ekziston dallim i madh në numrin e rrënjëve dhe sasinë e vajit të prodhuar.

“Megjithatë, qëllimi përfundimtar është i njëjtë – për të prodhuar vaj ulliri të cilësisë së lartë dhe për të arritur tek konsumatori. Në Mal të Zi  nuk mund të shkojmë drejt prodhimit në sasi, por në cilësi dhe kjo mund të arrihet. Prodhuesit tanë kanë nevojë për arsimim të mëtejshëm, si dhe një ndryshim të mentalitetit dhe zakoneve të prodhimit.” –  thotë Raduloviq.

Ajo gjithashtu theksoi nevojën e bashkimit të prodhuesve dhe daljen e përbashkët në treg, me qëllim që prodhimi i tyre të mbërrijë më lehtë tek konsumatori