U përurua vëllimi poetik për fëmijë “Kopshti i xixëllonjave” i autorit Ali Gjeçbritaj

0

Në Shkollën Fillore „Mahmut Lekiq“ – Tuz, të mërkurën u bë përurimi i vëllimit poetik për fëmijë „Kopshti i xixëllonjave“ i autorit Ali Gjeçbritaj, i botuar në muajin gusht të këtij viti nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve „Art Club“.

Përurimi është konceptuar si një komunikim i nxënësve të kësaj shkolle me shkrimtarin dhe krijimtarinë e tij. Nxënësit recituan poezi nga libri dhe shtruan një varg pyetjesh lidhur me ndikimin e vendlindjes në krijimtarinë e autorit, kujtimeve të fëmijërisë dhe aktualitetit të sotëm, frymëzimin nga deti dhe Liqeni i Shkodrës, dallimin e letërsisë për fëmijë dhe të rritur etj.

Në bashkëbisedim me fëmijët, Gjeçbritaj ka treguar se duke qenë vetë mësimdhënës në Shkollën Fillore „Gjergj Kastrioti Skënderbeu“ në Ostros është frymëzuar nga nxënësit të cilët janë personazhe të librit të tij dhe „një kopsht i xixëllonjave që lëshojnë dritë gjithandej“. Ndërsa për vendlindjen ka thënë se është „dhimbja ime shpirtërore të cilën e shprehi përmes vargjeve“. Ai po ashtu ka lexuar dy poezi – një për fëmijë dhe një tjetër për të rritur nga libri në dorëshkrim.

Mësimdhënësi i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shkollën Fillore „Mahmut Lekiq“, shkrimtari Mark Lucgjonaj, ka rrëfyer se si e kanë përjetuar fëmijët librin „Kopshti i xixëllonjave“ dhe përshtypjet e tyre. Ai ka thënë se libri është i ndarë në pesë pjesë apo pesë botë – bota e mësimeve, e dëshirave, e kafshëve, e bimëve dhe bota e autorit, dhe se „poezitë e këtij libri janë përplot dritë, dashuri e ngrohtësi, përçojnë pozitivitet, e nxisin imagjinatën, por mbi të gjitha janë poezi që edukojnë“.

Në fund të përurimit, autori Gjeçbritaj ka dhuruar disa kopje të librave të tij dhe të revistës së nxënësve „Valët“ për bibliotekën e shkollës.

Përurimi i librit është organizuar nga Shkolla Fillore “Mahmut Lekiq”, respektivisht aktivi i gjuhës dhe letërsisë shqipe të kësaj shkolle, në bashkëpunim me SHAI “Art Club”.

Ulqin, më 21. 12. 2017