U mbajt konferenca për mrojtjen e ekosistemit dhe ndalimin e peshkimit ilegal

0

Sot me fillim në ora 11.00, në hotel “Dolcino”, u mbajt konferenca mbi projektin për mbrojtjen e ekosistemit bregdetar dhe detar.

Në këtë konferencë, përvec përfaqsuesve të komunës së Ulqinit, si partnerë morën pjesë edhe Drejtoria e policisë, Ministria e bujqësisë, Drejtoria për inspeksione dhe klubi i peshkimit sportiv “Bojana”.

Fjalën përshendetëse e mbajti nënkryetari i komunës Ardijan Mavriqi, i cili theksoi rëndësinë e këtij projekti në mbrojtjen e ekosistemit bregdetar dhe detar të Ulqinit.

Në fjalimin e rradhës, kryetari i komunës Fatmir Gjeka, falenderoi të pranishmit për pjesmarrje dhe njoftoi mbështetjen e komunës në realizimin e projekteve të tilla dhe përkushtimin ndaj eliminimit të peshkimit illegal, sidomos atij me dinamit.

Prezantuesi Latif Haxhibraimi foli për prioritetet e projektit, gjegjësisht ruajtjen e ambientit me theks në zhdukjen e peshkimit illegal. Ai tha se projekti ka vlerën e 142.000 eurove, ku 85% do të financohen nga Mbretëria e Norvegjisë kurse 15% nga komuna e Ulqinit.

Projekti ka një shtrirje dyvjecare, domethënë nga viti 2015 deri në vitin 2017.

Fjalën e mori edhe ish kryetari i komunës Nazif Cungu, i cili falenderoi Zyrën për bashkëpunim ndërkombëtar dhe projekte (ICP) për këtë iniciative, dhe vlersoi punën e palodhur të tyre në realizimin e shumë projekteve me rëndesi të madhe për komunën e Ulqinit.

Në konference folën edhe përfaqësuesit e Drejtorisë së policisë (Vukman Zharkoviq), Institutit për biologjinë e detit (dr.Mirko Gjuroviq), si dhe të Ministrisë së bujqësisë, të cilët njëzëri shprehen gatishmërinë e tyre në ndihmën e implementimit të ketij projekti, pasi mbrojtja e ekosistemit dhe kontrolli iI peshkimit janë kushte për hyrjen në Bashkimin Europian.

Në fund, përfaqsuesit e institucioneve partnere në këtë projekt, nenshkruan edhe memorandumin e bashkëpunimit.