U hap shkolla shqipe në Manhattan

    0

    Nga Kozeta Zylo

    Në kryeqendrën e botës në Manhattan nxënësit shqiptaro-amerikanë u ulën në bangat e shkollës për të mësuar SHQIP, në mjediset e shkollës publike amerikane Ps 173, Fort Washington Avenue, me leje nga Bordi i Edukimit të Nju Jorkut.
    Pas përpjekjeve të shumta dhe përkushtimit pedagogjik për t’ju mësuar fëmijëve në Diasporë Gjuhën Shqipe më në fund i gjithë mundi i organizatorëve dhe mësueses me përvojë në gjithë jetën e saj znj. Liza Pllumbit u kurorëzua me sukses me hapjen e shkollës shqipe për herë të parë në Manhattan.
    Është tejet emocionante dhe krenari të udhëtosh në një ditë fundjave nga Staten Island së bashku me mësuesen e dashur Ditën, babain e saj z.Delaj nga Kelmendi i cili shprehte mirënjohjen dhe falënderonte “Alba Life” që vajzën e tij e kishim pjesë të stafit të punës, me Brian, Dean dy nxënës shqiptarë dhe të shkosh përballë një shkolle të re shqiptare ku të takohesh me nxënës të rinj, prindër dhe mësues. Duke trokitur në derën kryesore të shkollës, nxënësit rendnin me vrap kush e kush mundohej të hapte derën i pari. Ata na përqafonin sikur të kishim kohë që ishim takuar dhe me magjinë e moshës së tyre miqësoheshin shumë shpejt dhe me njeri-tjetrin. Është një botë krejtësisht e veçantë një botë që më mban të gëzuar, gjallë, plot jetë, por sidomos më sjellë pranë Shqiperinë tonë aq të munguar.
    Mundet që hapja e kësaj shkolle në Manhattan të jetë një pikë uji në Diasporen tonë, por me siguri në se mblidhemi së bashku në një tryezë të rrumbullakët për të hedhur idetë dhe pastaj ato të vihen në zbatim sidomos kjo e fundit është tejet e rëndësishme, ndryshe idetë vdesin si peshku në rërë, atëhere pika e ujit kthehet një oqean i gjuhës shqipe nga e cila fillon identiteti ynë. Asgjë s’është e pamundur, çdo gjë e bukur është e mundur sidomos kur është fjala për isntitucionalizmin e shkollave shqipe për të shkuar nxënësit cdo ditë ashtu sic i kanë hebrenjtë, rusët, kinezët, grekët e shumë komunitete të tjera që mjerisht në këtë pikë ne jemi mbrapa…
    Por kjo përbën një temë tjetër që ha shumë diskutim dhe punë altruiste nga Diaspora që nuk mungojnë në shumë anëtarë të saj. Ja pikërisht disa nga anëtarët e Diasporës që kanë vite që jetojnë në Amerikë vjen një ditë dhe me përvojën e tyre si mësimdhënës të Gjuhës Shqipe i afrohen programit mësimor të Gjuhës Shqipe dhe e ushtrojnë pranë fëmijëve të Diasporës lindur dhe rritur në Amerikë, por që prindërit e kanë ëndërr që fëmijët e tyre mos ta harrojnë kurrë gjuhën shqipe, gjuhën e të parëve të tyre.

    Themeluesi i shkollave Shqipe z.Qemal Zylo iu ka uruar nxënësve, prindërve, mësuesëve mirëseardhjen dhe punë të mbarë për mësimin e Gjuhës Shqipe. Një falënderim të veçantë i ka dhënë mësuese Liza Pllumbit me të cilën bashkëpunoi një kohë të gjatë për të realizuar hapjen e një shkolle shqipe në Manhattan. Po ashtu me plot dashamirësi ka falënderuar dhe prindin Nora Nilaj për kontributin e saj në këtë mision fisnik.
    Në fjalën e tij të shkurtër ftoi të gjithë prindërit dhe mësuesit ta përhapin këtë lajm të bukur dhe shpresoj që të kemi sa më shumë nxënës në këtë shkollë, ne kemi një përvojë shumë vjeçare në mësimin e gjuhës shqipe, pasi kemi dhe dy shkolla të tjera shqipe në Staten Island dhe në Brooklyn, shkolla që kanë disa vite të hapura.
    Më pas me lot në sy përshëndeti mësuesja e shkollës shqipe në Manhattan znj.Liza Pllumbi e cila me emocion iu uroi gjithë nxënësve punë të mbarë. Ajo i shprehu mirënjohjen e pakufishme “Alba Life” qe i bëri të mundur të realizojë ëndrrën dhe të ushtrojë profesionin e saj si mësimdhënëse në Manhattan. Së bashku vazhdoi mësuesja do të mesojmë gjuhën shqipe që kurrë mos të harrojme rrënjet e të parëve tanë. Më vonë z.Zylo u shpërndau librat e shenjta të abetares të unifikuara dhe fletoret e punës të cilat nxënësit shqiptarë i merrnin dhe i hapnin me kujdes të posaçëm për të shuar paksa kuriozitetin e tyre për momentin. Ora e mësimit u mirëprit me duartrokitje kur mësuese Liza së bashku me mësuese Ditën i mblodhën nxënësit në klasë dhe filluan mësimin shqip. Mësuese Liza i ka pyetur nxënësit se para se të fillojmë të mësojmë abetaren kush do të vijë të na recitojë në shqip për të parë njëkohësisht se sa ata e njihnin shqipen e folur. Ja në këtë kërkesë të mësuese Lizës nuk ngurroi të dilte përpara klasës nxënësja Nora Hysaj e cila recitoi vargjet nga Gjuha Shqipe e Fishtës si: “Porsi kanga e zogut t’verës/ qi vallzon n’blerim të prilli/ porsi i ambli fllad i erës/ qi lmon gjit e drandofillit/ porsi vala e bregut t’detit/ porsi gjáma e rrfès zhgjetare/ porsi ushtima e nji tërmetit/ ngjashtu á’ gjuha e jonë shqyptare/”.
    Pas saj u ngrit Dea e cila recitoi vargje nga Gjuha Shqipe e Naim Frashërit si: “Gjuha Shqipe sa e mirë/ sa e ëmbël sa e gjerë/ sa e lehtë sa e lirë/ sa e bukur sa e vlerë/”!
    Pas përshëndetjes me dy poezitë nga më populloret dhe të mirënjohura të shkruajtura nga shkrimtarët aq të dashur për popullin shqiptar Fishta dhe Frashëri, të cilët dukeshin sikur bekonin që nga froni i Perëndive ku kanë vendin, nxënësit shqiptare për mësimin e Abetares, mesuesja ka vazhduar normalisht mësimin midis nxënësve të shkollës shqipe “Alba Life” në Manhattan, shkollë shqipe që hapet për herë të parë në kryeqytetin e botës. /IllyriaPress/