Tenderi për TV Ulqinin i dirigjuar?

0

Ndërmarrja “RTV Ulqini” para disa ditëve ka hapur tenderin e ri për pajisjen me mjetet teknike të nevojshme për hapjen e televizionit lokal.

Pasi tenderi i parë dështoi, kësaj rradhe vlera e tenderit u rrit nga 130.000 euro që ishte herën e parë, në 150.000 euro. Për çudi kjo shifër i përgjigjet ofertës së vetme në tenderin e parë, e cila poashtu ishte afër 150.000 euro. Por kjo nuk është çudia e vetme në gjithë këtë proces.

Portali ynë mëson se kjo ndërmarrje, e cila është sh.p.k (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), nuk ka as kontratë të nënshkruar me komunën, çka do të thotë se komuna nuk ka obligime ndaj saj, xhiro llogaria e ndërmarrjes është bosh, kurse borxhet ndaj punëtorëve janë më të mëdhaja se vlera e tenderit.

Nga ana tjetër, ky tender dhe 150 mijë eurot e nevojshme për të, nuk janë paraparë fare me buxhetin e vitit 2015.

E gjithë kjo e sjell ndërmarrjen në një pozitë sa tragjike aq edhe komike.

Në qytet ka kohë që flitet se një grupi njerëzish u janë premtuar postet në televizionin e ri, bile edhe janë ndarë edhe detyrat, prej drejtorit deri tek kameramani. Drejtori aktual, sipas këtyre zërave, nuk bën pjesë në këto kalkulime.

Dhe të gjitha këto mbi baza politike. Paradoks është se edhe po të merren në pun do të kalojnë muaj që ato të shohin rrogën e parë, duke parë gjendjen aktuale të ndërmarrjes.

Kurse për qytetarët shtohet edhe një barrë tjetër në kurriz të tyre, vetëm që dikush të përfitojë politikisht.