Të hënën diskutohet kredia e re. Sa përfiton dhe cilat janë rreziqet për Komunë

0

Të hënën në seancën e radhës së Kuvendit komunal, do të hyjë edhe diskutimi mbi kreditimin e ri të Komunës së Ulqinit me vlerë prej 5.5 milionë euro.

Ajo cka me padurim pritet prej opinionit publik janë detajet e hollësishme të kësaj kredie, pasi deri tani janë bërë të njohura vetëm përparsitë e saj, por jo edhe efektet e mundshme negative.

Portali lajm.me mëson se nëse kredia miratohet në Kuvendin komunal, atëherë do të fillojë procedura e përgaditjes së dokumentacionit, pasi qeveria e Malit të Zi do të kërkojë siguri për garancitë e veta.

Kjo procedurë nuk pritet të jetë e shpejtë, por mësohet se ekziston një gatishmëri e partnerëve të koalicionit që kreditimi të përkrahet nëse ai shkon në të mirën e Ulqinit.

Gjithsesi, pritet që ato të kërkojnë sqarime të hollësishme lidhur me të gjitha pikat e këtij restrukturimi, në mënyrë që kriza financiare e Komunës sadopak të lehtësohet.

Ajo çka dihet deri tani është se një pjesë e kredisë do të shkojë për shlyerjen e kredive të mëparshme ndaj bankave, një pjesë për shlyerjen e kontributeve të prapambetura, kurse pjesa tjetër për rrogat e puntorëve dhe obligimet e arritura.

Normat e interesit që Komuna u paguan bankave shkon deri në 9%, dhe pritet që ajo të zbresë në 3.5% si rezultat i këtij restrukturimi, por nga ana tjetër do të zgjatet edhe koha e shlyerjes së borxheve.

Gjithsesi, kredia ka pikat e saja pozitive, pasi i mundëson Komunës afate më të gjata dhe më fleksibile të shlyerjes së detyrimeve, si dhe shlyerjen e një pjese të rrogave të prapambetura të punëtorëve.

Për anët negative, të cilat i cdo kreditim i mbart me vete, pritet që të mësohet më shumë gjatë diskutimit në Kuvend.