Takohet këshilli për rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit

0

Gjatë ditëve në vijim pritet të publikohen detaje rreth ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të heroit kombëtar

Këshilli organizativ për Ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të heroit kombëtar Isa Boletini, i emëruar nga Qeveria e Kosovës, dje ka mbajtur takimin e parë me përbërje të plotë.

Këshilli Organizativ në këtë takim ka marrë propozimet e anëtarëve të tij dhe ka diskutuar për të gjitha çështjet me rëndësi për organizimin e dinjitetshëm dhe madhështor të ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të heroit kombëtar Isa Boletini, e cila do të realizohet më 28 Nëntor në vendlindjen e tij në Boletin.

Për të gjitha çështjet me rëndësi për ceremoninë, Këshilli Organizativ do të marrë vendime konkrete në ditët në vazhdim dhe do të bëjë publike agjendën, ka njoftuar zëdhënësja e Këshillit Organizativ, Jehona Shyti.

Pjesë e Këshillit Organizativ janë: Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Ceku, Kryesues, Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, Zv. Kryesues, përfaqësuesi i Zyrës së Kryeministrit Edi Sejdiu, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme- Policisë së Kosovës, Naim Rexha, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Jashtme Burim Susuri, Kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, Drejtori i Institutit të Historisë Sabit Syla, përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës Jusuf Bajraktari, përfaqësuesi i familjes së Isë Boletinit, Gazmend Boletini.