Sophie Castriota: Pasardhësja krenare e heroit tonë kombëtar

0

Paraardhësit e saj, por edhe ajo dhe familjarët e saj kanë jetuar në shtete të ndryshme, kanë lëvizur nga një vend në tjetrin, por ajo që gjithmonë kanë bartur me vete është historia e tyre, duke qenë familjarë, pasardhës të heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti – Skënderbeut.
Sophie Castriota thotë për “Zërin” se kur e ka kuptuar sa i rëndësishëm është Skënderbeu për popullin shqiptar është mbuluar nga emocionet dhe se është shumë krenare për një gjë të tillë. Ashtu si është trashëguar emrin i familjes “Castriota Skanderbeg”, shumë anëtarë të saj kanë trashëguar emra tradicionalë të familjes e sidomos emrin George apo Gjergj. Madje, Sophie ka vendosur që si logo të saj ta ketë shqiponjën e kohës së Skënderbeut.

Zëri: Ju jeni pasardhësja e heroit kombëtar Gjergj Kastriot-Skënderbeut. A e ndieni veten shqiptare?

Castriota: Jam vetëm njëra nga pasardhësit e Skënderbeut. Janë anëtarë të tjerë familjarë dhe disa prej tyre që ende e mbajnë emrin “Castriota Scanderbeg” në Itali, gjë që është bartur gjeneratë pas gjenerate. Fatkeqësisht unë nuk e trashëgova këtë emër, por që të gjithë e ndajmë gjakun e njëjtë nga Skënderbeu. Kam qenë në Evropë disa herë dhe kam vizituar shtete në të cilat kam krijuar kontakte, por asnjëra nuk më ka dhënë ndjenja të forta sikurse Shqipëria.

Zëri: Çfarë dini për stërgjyshin tuaj?

Castriota: Po mësoj çdo ditë e më shumë për të. Historia e tij është e komplikuar dhe gjendja politike në atë kohë ishte jostabile. Ai u rrëmbye nga osmanët për t’u bërë më pas gjeneral i fuqishëm në ushtrinë osmane. Ai u kthye në Krujë, edhe pse atëherë ishte një vend me shumë përçarje. Gjithashtu atij iu desh që të luftojë presionin politik nga udhëheqësit e Vatikanit, të cilët ishin të vendosur në tokat e Shqipërisë së tanishme. Reputacioni i tij në Evropë ishte aq i mirë, saqë iu kërkuar të luftojë edhe për vende të tjera evropiane. E di që Evropa, por ndoshta dhe bota, do të ishin shumë më ndryshe sot nëse ai nuk do ta kishte ndaluar pushtimin e Evropës Perëndimore nga Perandoria Osmane për më shumë se 25 vjet.

Zëri: A keni qenë ndonjëherë në Krujë, në shtëpinë e stërgjyshit tuaj?

Castriota: Jo, fatkeqësisht nuk kam pasur mundësi herën e kaluar që isha në Shqipëri, por është një ndër vendet e para që do të vizitoj kur do ta vizitoj prapë Shqipërinë. Shpresoj që kjo të ndodhë vitin tjetër.

Zëri: Si ndiheni nëse dikush ju drejtohet si trashëgimtare e Skënderbeut?

Castriota: Ndihem shumë krenare që jam ambasadore e emrit tij. Ndihem e detyruar të jap diçka për shqiptarët në emër të tij.

Zëri: Si ka reaguar shoqëria juaj, duke e ditur se jeni pasardhëse e një heroi?

Castriota: Kur e kuptova se sa i rëndësishëm është Skënderbeu për popullin e tij, u mbulova nga emocionet dhe u ndjeva shumë krenare. Nuk e kam kuptuar rëndësinë e tij për Shqipërinë deri tash vonë. Për fat të keq ka ende vende që nuk kanë dëgjuar për madhështinë e tij dhe unë ngadalë tek ato vende jam duke e prezantuar me anë të muzikës sime.

Zëri: Meqenëse përmendët muzikën, sa ka qenë e vështirë të depërtosh në tregun muzikor australian?

Castriota: Është e njëjtë si në çdo vend tjetër. Besoj se të duhet të krijosh tregun tënd. Pak kohë më parë kam rënë në kontakt me një kompani internacionale regjistrimi, e cila dëshiron që unë të vendosem diku në Evropë, saktësisht në Londër, në mënyrë që të nënshkruajmë kontratë. Atëherë nuk ndihesha e gatshme, por në momentin që jam e gatshme të largohem nga Australia do ta bëj, oferta vlen ende.

Zëri: Në familjen tuaj më të gjerë, a keni trashëguar emra si Gjergj, Donika apo ndonjë emër tjetër të historisë shqiptare?

Castriota: Siç thashë dhe më lart, pasi jam pasardhëse nga ana e nënës, familja ime nuk e ka trashëguar emrin “Castriota Skanderbeg”, anëtarë të familjes në Itali kanë trashëguar emra tradicionalë të familjes e sidomos emrin George apo Gjergj.

Zëri: Ju keni lindur në Itali, mirëpo tani jetoni në Australi. Prej sa vitesh jetoni në Australi?

Castriota: Kam lindur në Australi. Gjysha ime nga ana e nënës ka lindur në Itali, por unë kam jetuar në Australi gjatë tërë jetës sime. Gjysha ime ka emigruar nga Italia për në Britani, ndërsa nëna dhe babai im emigruan në Australi bashkë më gjyshen në vitet e hershme të 1990-s.

Zëri: A ju kanë treguar gjyshërit se cila ka qenë arsyeja që jeni larguar nga Shqipëria?

Castriota: Pas vdekjes së Skënderbeut, djali i tij Gjon Kastrioti Skënderbeu shkoi për në Itali me ftesë të mbretit të atëhershëm të Napolit, Ferdinandi i Parë. Që nga ajo kohë pasardhësit e tij kanë mbetur në Italinë Jugore përpos pasardhësve, të cilët emigruan në vendet e tjera. Paraardhësit e mi ishin vendosur në Lecce.

Zëri: Sa dini ju për Shqipërinë, për historinë shqiptare?

Castriota: Jam duke mësuar, ashtu siç jam duke e mësuar gjuhën shqipe.

Zëri: Po për Kosovën çfarë dini?

Castriota: Kush nuk ka dëgjuar për Kosovën? Anash ndërlikimeve politike në Kosovë ajo është një shtëpi për shqiptarët dhe ajo është e rëndësishme për mua. Mendoj që Kosova ka potencial për t’u zhvilluar dhe lulëzuar si një shtet i ri dinamik.

Zëri: Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët për të mirën e tyre në përgjithësi dhe në veçanti ata të Shqipërisë e të Kosovës?

Castriota: Mendoj që shqiptarët duhet të koncentrohen për t’u bashkuar për të mirën e vendit dhe popullit, pavarësisht ku jetojnë, religjionit, apo nga cili fis e kanë prejardhjen, në mënyrë që të mbajnë shpirtin shqiptar të fortë. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu e kuptoi se bashkimi i Shqipërisë sjell fuqi dhe i inkurajoi njerëzit të bashkohen në një shtet dhe për një kauzë. Kosova dhe Shqipëria si shtete kanë shumë për të ofruar dhe mendoj se ka ardhur koha që Shqipëria të tregojë se ka përparuar nga vitet komuniste. Meqë të dy shtetet kanë bukuri natyrore besoj se mund të bëhen destinacione të mrekullueshme për turizëm. Të dy vendet kanë nevojë për investime dhe sipërmarrje të shëndetshme në mënyrë që të krijojnë një mjedis të begatë për njerëzit, ku mund të mësojnë dhe të punojnë. Në vend të kërkimit të “pasurimit të shpejtë” duhet të ketë një theksim të qartë mbi qëndrueshmërinë, punësimin dhe edukimin.

Zëri: Shqipëria ka 103 vjet nga koha kur është shpallur shtet i pavarur dhe duke qenë një nga vendet më të vjetra në Evropë, çfarë mendoni, pse ende nuk është në BE? Si e shihni udhëheqjen politike si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë?

Castriota: Mendoj që Shqipëria duhet të punojë shumë për t’i përmbushur standardet për t’u pranuar në BE. Duke qenë të vendosura në Evropë e bën edhe më të rëndësishme pranimin e Kosovës dhe Shqipërisë në BE, duke përfshirë arsye si: mundësi më të mira tregtie, marrëdhënie të mira me shtete të tjera evropiane. Për fat të keq, që të dyja shtetet duhet të dalin nga rrethana të vështira dhe duhet të gjejnë një balancë nga e cila mund të krijojnë një identitet të favorshëm brenda Evropës. Ka ende disa zona, të cilat duhet të “pastrohen” dhe që të dy shtetet duhet të themelojnë infrastrukturë të mirë, në mënyrë që populli të ketë një standard të mirë të jetës, duke përfshirë sigurime shëndetësore, edukim dhe punësim, si të drejta themelore të njeriut.

Zëri: Cili është mesazhi juaj për këtë Vit të Ri për të gjithë shqiptarët?
Castriota: Uroj që të gjithë shqiptarët të përvetësojnë shpirtin e madh të paraardhësve të tyre e në veçanti shpirtin e stërgjyshit tim të 14-të, Gjergj Kastriot-Skënderbeut, që sipas shembullit të tij të përmirësojnë prosperitetin e vendeve përkatëse, por edhe të mëmëdheut të tyre, Shqipërisë. Uroj që të japin një shembull të mirë tek bota dhe të ndihmojnë dhe inkurajojnë bashkatdhetarët e tyre kudo që munden dhe të krijojnë lidhje të forta familjare e të mbajnë vlera morale të larta në një botë, ku ato po humben. Besoj se nëse tregojmë dashuri ndaj njëri-tjetrit, duke u treguar tolerantë, të sinqertë dhe të bashkuar do të bëjë që shqiptarët nga Shqipëria dhe Kosova dhe nga e gjithë bota të respektohen dhe të nderohen nga të gjithë.

 

/zëri.info/