Snouden, Malala dhe papa Françesku favoritët për çmimin Nobel të Paqes

0

Gara për çmimin Nobel të Paqes, rezultatet e së cilës do të shpallen të premten në Oslo, me të nominuar si Eduard Snouden dhe Papa Françeskun, ka qenë rrallë kaq e hapur dhe e paparashikueshme, vlerësojnë ekspertët,

Ish-punonjësi i Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Amerikane Eduard Snouden, i cili zbuloi përmasat globale të përgjimit të SHBA-ve, ishte një nga fituesit e “Çmimit Alternativ Nobel të Paqes” muajin e kaluar. Një hero për disa dhe një tradhtar për të tjerët, ai do të ishte një zgjedhje shumë e diskutueshme për çmimin me vlerë prej 878.000 euro.

Malala Jusafazi, vajza që luftoi për arsimimin e vajzave pakistaneze dhe e nominuar edhe vitin e kaluar është gjithashtu në garë këtë vit, së bashku me Papa Françeskun dhe një grup japonez pacifist.

Fakti që Komiteti Nobel ka pranuar një numër rekord nga 278 kandidatë për këtë çmim, nga të cilët vetëm disa janë publikuar, i bën parashikimet e ekspertëve edhe më të vështira.

Sidoqoftë, edhe figura të tjera ose grupe që kanë lidhje me gjendjen në Rusi mund të jenë zgjidhje për Komitetin Nobel. “Politika Ruse në Ukrainë, aneksimi i Krimesë dhe mosrespektimi i kufijve, si dhe mënyra se si Kremlini i trajton kundërshtarët nuk mund të injorohet”  tha Antoine Jakobi, autor i një histori të çmimeve Nobel.

E themeluar në vitin 1993 nga Mikhail Gorbachev me pjesën e parave të fituara nga çmimi i tij për paqe, gazeta prodemokratike nga Moska Novaya Gazeta është gjithashtu kandidate në mes të fituesve potencialë. Gazeta është pjesë e një numri të vogël të mediave të pavarura të mbetura në Rusi, e që njëkohësisht numëron edhe gazetarë të vrarë, përfshirë Ana Politkovskajan, e cila kishte ekspozuar abuzimet e mëdha të të drejtave të njeriut në Çeçeni.