Skandali i radhës: Komuna shpenzon 100 mijë euro për Kontratat e Shërbimit

0

Kur shpenzohet më tepër se është parashikuar me buxhet, kuptohet që duhet të ketë raste të rëndësishme dhe të paparashikueshme që kanë cuar në një vendim të tillë.

Është më se e kuptueshme që qytetarët të jenë kureshtarë të dijnë se ku shkojnë këto të holla, në këtë rast tri herë më shumë se shuma e parashikuar me buxhet.

Ky është edhe dyshimi i radhës i burimeve që kanë dërguar informacion në portalin tonë.

Në fushën Kontrata e Shërbimit (Ugovor o Djelu) me buxhetin e vitit 2014 ishin parashikuar 31.000 euro, por deri në fund të vitit janë shpenzuar më shumë se 100.000 euro!

Kontratat e Shërbimit zakonisht janë shpenzim për punën e personave që nuk janë të punësuar në Komunë por janë angazhuar nga Komuna. Kur flasim për këtë, mirë është të përmendet se punëtorëve të rregullt të Komunës u mungojnë rrogat së paku 5 muaj!

Duke mos dashur të ngelim të vetmit që ngrisim zërin për shpenzimet arrogante të pushtetit lokal, shpresojmë që hulumtimet tona të zgjojnë mediat e tjera, partitë politike dhe organizatat joqeveritare, me qëllim që të bëjnë presion në marrjen e përgjegjsisë.

Nuk do të ishte keq që të ftohet haptas edhe Kryetari i Komunës dhe tu tregojë vetë qytetarëve se ku shkojnë paratë e tyre dhe pse shpenzohen gjithë këto mjete.