Simon Shkreli – Aktori i parë i diplomuar shqiptar nga Mali i Zi

0

Shkruan: Gazmend Çitaku

Biseda me Simoni, si të thuash është një sfidë e veçantë jo vetëm për mua por edhe për ata që merren me gazetari. Simoni është një djalë i cili për te jetuar aktron dhe dokumenton. Kur themi kështu që në fillim duhet sqaruar se Simoni është aktor profesionist i Teatrit ”Migjeni”në Shkodër andaj edhe u shprehëm ashtu kurse për faktin se dokumenton ai jo vetëm se vë vulë roleve në teatër por me punën shtesë që bën për të mbijetuar në këto kohë të vështia ai bën edhe punën e gazetarit për televizion lokal të Shkodrës si dhe raporton për dy televizione tjera kombëtare.

Ka lind në Amull të Ulqinit, siç thotë ai 3 ditë para se të ndodhte termeti famëkeq i vitit 1979. Amulli është një vend piktoresk që ndodhet në një trekëndësh interesant 2 km prej Lumi Buna, (1km) Liqeni i Shasit dhe 11km vi ajrore nga Deti Adriatik. Fëmijëria kryesisht i ka qenë shumë e lumtur pasiqë atëbotë fshati gumëzhonte nga zhurma e fëmijëve dhe lojërat që bënin ata. Simoni kujton vitin 1985-86 kur ishte asfaltuar rruga që kalonte përmes fshatit të tij dhe lidhte një fashat më të largët që atëherë si fëmijë loznin se kush do të durojë më shumë të nxehtit e asfaltit e më këtë edhe kujt do ti nxiheshin më shumë këmbët. Një lojë jo shumë e këndëshme madje nga këndvështrimi i sotëm, pak bizar, por që kjo fëmijët i bënte të lumtur pasiqë ishin tërë kohën në natyrë dhe thithnin ajrin e pastër me kripë që u vinte nga deti. Për të shkuar në shkollë i është dashtë që të udhëtoj këmbë edhe nga disa kilometra pastaj duke u rritë, kilometrat vetëm shtoheshin pasiqë shkolla ishte larg vendit ku jetonte. Kujton fëmijëri të hareshme, shumë fëmijë në lagje, plot lojëra, gëzime… kurse sot, kur viziton vendlindjen trishtohet nga dyert e mbyllura të shtëpive, e vrasin oxhakët e shuar, i dhemb shpirti se nuk dëgjon zhurmën e dikurshme që bënin fëmijët. Cest la vie.

Tre aktorët ulqinakë, nga e majta: Bashkim Alaj, Simon Shkreli dhe Shefqet Luca
Shkëndijat e para të aktrimit lindin që në shkollën fillore kur si nxënës deklamonte para nxënësve me rastin e ditës së shkollës. Pastaj, fare i ri në moshë, zonja Leze Lazari nga Ulqini e angazhon që të luaj rolin e të verbrit në shfaqen e organizuar për festën e Kërshëndellave, e pas këtij roli pasojnë edhe deklamime tjera me rastin e festave të ndryshme deri sa njëherë në një përurimi libri ku Simoni ishte edhe prezantues por edhe deklamonte poezi, atij i afrohet regjisori ulqinak Emin Halili dhe e fton që të bëhet pjesë e shfaqes së tij ”Ora Bizare” të shkruar nga Basri Çapriqi. Kjo shfaqe kishte ftesë nga Festivali i Teatrove Alternative në Kajro e që aktorët kryesorë që ishin Blerim Gjoci, Anisa Ismaili dhe Dardane Bacaj, për shkak të dokumentacionit nuk mund të udhëtonin atëherë aty Simoni fiton edhe shtysën më të madhe për aktrim pasiqë i ishte besuar roli kryesor. Shfaqa ishte shumë e suksesshme dhe edhe pse Simoni tashmë kishte regjistruar në Prishtinë Fakultetin Juridik, ai në vend që të ndjek ligjeratat në amfietatrot e juridikut ai më shumë kohë kalon mes Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Teatrin Dodona. Dëshira për aktrim nuk e linte të qetë, kurse bashkëvendasi i tij Shefqet Luca vetëm sa i ndihonte zjarrit të aktrimit duke e nxitur Simonin që të regjistronte akademinë e arteve. Në Teatrin Dodona njofton Adhurim Demin i cili e udhëzon se si të përgatitet për provimin pranues kurse Azem Bujupi për dy muaj rresht i ndihmon në përgatitje dhe në fund Simoni ia arrin qëllimit, jo vetëm të regjistrohet por edhe të bëhet aktori i parë i diplomuar shqiptar që vinte nga Mali i Zi. Simoni si anekdotë e tregon rastin e babait të vet i cili vjen pandehur në Prishtinë dhe duke dashtë që ta befasojë djalin e vet shkon në Fakultetin juridik dhe e kërkon Simonin. Por, Simoni atje nuk ishte. Kot hapte dyert e sallave dhe amfiteatrove, studentët nuk e njihnin, madje as referenti nuk kishte informata për ndonjë student me atë emër e mbiemër derisa dikush nga studentët që kishin studiuar së bashku në vitin e parë i tregon se Simonin mundet me e gjet në Akademinë e Arteve. Kështu në vend se ta befasojë Simonin, babai i tij Gjoka mbeti vetë i habitur sepse djali ishte ç’regjistruar nga juridiku dhe kishte regjistruar aktrimin.

Simon Shkreli pjesë e shfaqes teatrale  ” Gomari i Babatasit”  në regjinë e Altin Bashës
Simoni është aktor që ka dalë nga gjenerata e parë e klasës së Ilire Vincës e që mbikqyrej nga aktori ynë i madh, Faruk Begolli. Pra, me një fjalë Simoni deri sot mbi shpatulla ka një eksperiencë afro 20 vjeçare të aktrimit mirëpo po ta pyesësh se cili rol i ka fjetur më së miri ai ta kthen me shumë sportivitet: Aktrimi është si puna e xhaketës, njëra të rri mirë e tjetra ngushtë,andaj edhe nuk mund të veçoj asnjë pasiqë ndjehem mirë në të gjitha rolet. Mirëpo, shfaqa e fundit ”Jugori” në regji të Dino Mustafiqit disi e ka shtyrë të reflektojë më thellë, pasiqë aty shumë lehtë e gjen veten gjithkush dhe se fare mirë e di atë ndjenjën e të qenurit pakicë, e aqë më shumë ”pakicë, brenda pakice” siç shprehet Simoni në prezantimin e rolit të kësaj shfaqe. Fjalë miradie ka për kolegun Fatmir Spahiuntë cilin e çmon shumë edhe si profesionist por edhe si njeri, gjithashtu përshtypje të njejta ka edhe për Ilire Vincën me të cilët edhe dëshiron të bashkëpunojë në ndonjë projekt teatral. Më së miri ndjehet në dërrasat e teatrit andaj edhe pse ka pasur disa role në filma ai prapë së prapë teatrin e do më shumë pasi që filmi për te është më i ftohtë. Për kolegët e vet që kanë luajtur në shfaqe teatrale thotë: Të gjithë janë aktorë të mëdhenj. A e di pse? Sepse janë aktorë. Në rolin që i besohet shumë lehtë mishërohet, me ndihmen e regjisorit zbërthehet personazhi dhe futet në karakterin e tij por jashtë skene gjithmonë mbetet Simoni që njohim nga jeta reale. Materialin e shfaqes lehtë e mban në mend por thotë se kryesorja është që ta kapësh rolin sepse atëherë me ndihmën e kolegëve çdo gjë është shumë e lehtë dhe rrjedh natyrshëm. Kujton rastin kur një herë gjatë një shfaqe në Korçë padashur kolegu kishte ngatërruar tekstin dhe shfaqen e kishte çuar në fund. Normalisht, thotë Simoni, ne natyrshëm ishim përshtatur rrethanave të reja dhe bëmë që publiku mos të hetojë asgjë. Janëpra këto gjëra që ndodhin pasi që presioni është i madh sepse çdo gjë ndodh aty për aty dhe në fund kur bie perdja Simoni ka vetëm një gjë i shkon në mend: A thua i meritova duartrokitjet e publikut.
Edhe pse që në vitin 2004 diplomon aktrimin dhe gjithashtu ishte edhe shqiptari i parë nga Mali i Zi që merr diplomën e aktorit ai kur kthehet në Ulqin nuk kishte vend pune për te. Pengesat burokratike e bëjnë që Simoni të kërkojë alternativë dhe ate e gjen në Shkodër. Së pari punësohet si folës i lajmeve në TV Rozafa e pastaj edhe bën punën e gazetarit por gjithnjë duke qenë edhe bashkëpunëtor i jashtëm i Teatrit ”Migjeni”. Kur e pyeta Simonin se sikur të xhirohej ndonjë film për jetën e tij cilin aktor do e shihte në rolin e tij, ai vetem qeshet dhe thotë se do të tregojë një moment nga jeta studentore: Ndodhte nganjëherë mbrëmjeve kur ktheheshim vonë në banesë, e unë banoja në një ndërtesë në qendër të Prishtinës, në lagjen Zahir Pajaziti, në katin e pestë, gjithmonë i binim zileve dhe deri sa mbërrinim te dera jonë në katin e pestë dëgjonim se si hapeshin dyert. Këtë veprim kurrë nuk e kemi bërë duke zbrit shkallave por gjithmonë duke u ngjitur.

Simon Shkreli duke deklamuar në Skenën Verore – Ulqini 2018
Simoni deri më sot ka 14 role teatrale dhe ka luajtur në 5 filma. Është i punësuar në Teatrin Migjeni kurse me punën e dytë të gazetarit i ndihmon buxhetit familjar. Është një prind shembullor dhe baba i përkushtuar i dy fëmijëve të cilët e bëjnë të lumtur dhe i japin energji pozitive. Ulqinin e do sa edhe Shkodrën e Amullin edhe pse nganjëher ndjehet pak i harruar nga bashkëvendasit sepse siç arsyetohet është dashtë që të kalojnë 20 vjet e të fitojë ftesë nga Ulqini që të interpretojë në Skenën Verore Ulqini 2018. Pra, pas 20 vitesh duhet të kujtohet dikush që edhe Ulqini ka një aktor të diplomuar dhe se e meriton të angazhohet në një veprimtari kulturore këtu. Intervisten e vet Simoni e mbyll me një porosi:

 

Aktrimi është profesioni më i bukuri dhe më i poshtri në botë. Studioni dhe kërkoni suksesin sepse do vij.Mos mendoni se do bëni para me këtë profesion, përveç satisfaksionit shpirtëror mos prisni më shumë.E atëherë i keni arritur të gjitha se s’ka gjë më të shtrenjtë në botë se sa kur salla ngrihet në këmbë duke të duartrokitë. Po të mos harroj, rralloni përdorimin e teknologjisë, e shtoni shfletimin e librave.

Gazmend Çitaku
https://gazmendcitaku.wordpress.com/