Shtyhet vizita e Kryeministrit Edi Rama në Beograd

0

Vizita e shumëpërfolur e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Beograd është shtyrë për në 10 nëntor. Lajmi është konfirmuar nga zyra e shtypit e Kryeministrisë.

Mësohet se data e re e takimit është vendosur pas një bisede telefonike mes Kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij serb, Vuçiç.

Në bisedën telefonike mes dy kryeministrave është diskutuar edhe për incidentet e ndodhura në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri, ku të dy kanë dalë në një përfundim se ajo që ndodhi në stadiumin e Partizanit të Beogradit ishte tejet e padëshiruar për të dyja palët.

Rama dhe Vuçiç e kanë cilësuar takimin e tyre si një mundësi, e cila nuk duhet humbur për t’u afruar në funksion të stabilitetit të rajonit.

Burime nga Kryeministria bëjnë të ditur se, “ata u morën vesh që të vazhdojnë dialogun e rëndësishëm që kanë nisur, si edhe për të siguruar që procesi i filluar në Berlin në 28 gusht, të shkojë përpara përmes punës për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të tyre, rajonit dhe Europës si e tërë”.