Shqiptarët duan rikthimin e dënimit me vdekje?

0

Gjesti makabër i ndodhur në Dukagjin, ku dy turistët çek u grabitën dhe u vranë nga persona deri tani të paidentifikuar, ka ngjallur indinjatë të paparë në rrjetet sociale të Shqipërisë.

27-vjeçari Michael Svatos dhe e dashura e tij Anna Kosinova janë qëlluar për vdekje me kallashnikov nga një person i tretë i cili ndodhej në makinë me ta ndërsa ktheheshin nga Thethi ku kishin eksploruar natyrën drejt Shkodrës. Mendohet se autori kishte edhe bashkëpuntorë.

Masakra1

Edhe pse komentet janë nga më të ndryshmet, një pjesë  mire e tyre kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje. Nuk kanë munguar as zërat e disave prej tyre, që përvec dënimit me vdekje, kërkojnë edhe ekzekutim publik të fajtorëve.

Shqipëria e ka hequr dënimin me vdekje, kurse ekzekutimi i fundit është kryer në vitin 1992.

Personat e fundit të ekzekutuar ishin vëllezërit Josif dhe Dritëbardh Çuko nga fshati Libofshë i Fierit, që u shpallën fajtorë për vrasje të shumëfishtë në atë që u quajt “Masakra e Libofshës”. Ata vranë pesë persona, mes tyre një foshnjë 8 muajshe.

Ngjarja ndodhi më 29 maj të vitit 1992 në fshatin Libofshë, kur dy vëllezërit hynë në mesnatë në banesën e familjes Puto, me qëllim grabitjen e familjes.

Si pasojë ata vranë djalin e vogël të shtëpisë, së bashku me nusen e tij, vranë babanë, vranë edhe nënën pasi e torturuan për një orë dhe në fund e mbyllën duke vrarë mbesën 8 muajshe të familjes.

Ngjarja bëri bujë të madhe në Shqipërinë e asaj kohe, opinioni qytetar kërkoi dënim me vdekje për autorët. Pas një gjyqi prej 24 ditësh të dy vëllezërit u shpallën fajtor dhe u dënuan me vdekje, ekzekutim me varje në mes të qytetit.

Varja u bë në 25 qershor 1992, në mes të qytetit të Fierit dhe trupat u lanë të varur deri mbrëmjen tjetër, për t’u parë nga turma njerëzish që erdhën dhe nga qytetet e tjera.