Shqipëria po shuhet, 40% e popullsis do ketë ikur deri në 2031

0

Një shtet nuk mund të funksionojë pa burimet njerëzore dhe pa territor. Por vitet e fundit të paktën për Shqipërinë këto dy burime jetike po tkurren me shpejtësi. Nga të dhënat e fundit mësohet se 20% e sipërfaqes së vendit është dëmtuar nga përmbytjet dhe rrëshqitjet, ndërsa në dekadën e fundit, popullsia e tkurr me 11%. Në vend që politika të alarmohet për këto ndodhi, ka zgjedhur të bëjë indiferenten. Ka një arsye të qëllimshme në këtë mes, pasi emigracioni është pjesa më e dukshme e dështimit të politikës në këto vite. Fenomeni është lënë në heshtje i patrajtuar dhe pa mjete parandalimi.
Vetëm gjatë vitit që shkoi, janë larguar nga vendi 46 mijë persona, raportoi INSTAT, por projeksionet janë ogurzeza. Në vitin 2024, forca e re e punës do të jetë e barabartë me numrin e atyre që do të dalin në pension, çka do të thotë se, në kushtet ideale ku nuk do të ketë asnjë të papunë, pas 10 vitesh pensionistët nuk ka kush t’i zëvendësojë.
Parashikimet tregojnë se, emigracioni sistematik do të vijojë deri në vitin 2031 dhe përveç qarqeve të Tiranës, Vlorës dhe Durrësit, të tjerat do të shpopullohen edhe me 40%. Vendi, për 25 vjet, ka humbur një të tretën e popullsisë dhe emigracioni vijon të jetë në nivele alarmuese.
Përvojat botërore tregojnë se, cikli i migracionit në vendet tipike ka zgjatur 15 vjet dhe pas kësaj periudhe numri i të kthyerve me të larguarit është barazuar. Në Shqipëri, hemorragjia e largimeve nga vendi ka hyrë në vitin e 25-të dhe bilanci mbetet thellësisht negativ dhe kjo dukuri do të zgjasë edhe për të paktën 16 vite.

Hemorragjia do të vazhdojë deri më 2030

Popullsia në moshën kulmore të emigrimit do të rritet gjatë dhjetë viteve të ardhshëm. Balancimi pothuaj neutral i migrimit pritet të ndodhë vetëm në vitin 2030, sipas INSTAT. Por ekspertët shpjegojnë se, gjithçka do të jetë në varësi të zhvillimit ekonomik të vendit në krahasim me vendet e tjera europiane. Parashikimet e momentit nuk presin që kjo të ndodhë para vitit 2031. Projeksionet tregojnë se të larguarit do të jenë 100.000 deri në 300.000 persona. Për shkak të këtij fenomeni, popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2015, arriti në 2.893.005 banorë, duke pësuar rënie prej 2.942 banorësh, krahasuar me atë të 1 janarit 2014, referoi INSTAT. Popullsia në vitin 2030 pritet të pakësohet edhe 3.3%, duke arritur në 2,795,523 banorë. Rezultatet e parashikimit tregojnë intensifikim të rënies demografike pas vitit 2031 për të arritur në 2.3 milionë banorë në vitin 2060.

Nga “Shqipëria e re” në “Shqipëri të plakur”


Lindshmëria e ulët dhe emigrimi i vazhdueshëm në të ardhmen janë përcaktuar si shkaqet kryesore të plakjes së popullsisë së Shqipërisë. Numri i fëmijëve do të vazhdojë të bjerë me një të katërtën dhe numri i të moshuarve do të rritet me katër të pestat deri në vitin 2031. Kjo do të çojë drejt plakjes së avancuar të popullsisë, me më shumë varësi të të moshuarve në krahasim me fëmijët. Numri i fëmijëve më pak se 15 vjeç do të bjerë me 30% deri në vitin 2031. Ndërsa numri i të moshuarve me moshë 65 vjeç e lart rritet me 84% në krahasim me vitin 2011, për të arritur ndërmjet 570.445 dhe 604.693 individëve në vitin 2031. Numri i individëve shumë të moshuar (me moshë 80 vjeç e lart) pritet të dyfishohet sipas të gjithë skenarëve, duke arritur në më shumë se 120.000 në vitin 2031. Kalimi nga një popullsi me dominancë të të rinjve në të moshuar mund të zgjasë vetëm një brez në Shqipëri, krahasuar me një gjysmë shekulli në Europën Perëndimore. Megjithatë, nëse brezat e rinj vazhdojnë të emigrojnë dhe të ulin më shumë lindshmërinë e tyre, Shqipëria do të pësojë rënie natyrore të popullsisë nga fillimi i viteve 2020. Krahas kësaj, raporti gjinor i lartë në lindje që nga vitet 1990 do të çojë në një disbalancë gjinore në rritje në popullsinë e ardhshme të moshës së riprodhimit, gjë e cila mund të kufizojë perspektivën e krijimit të familjes nga një pjesë e konsiderueshme e meshkujve.

Plakja po çon në krizë sistemin e pensioneve


Qeveria, këtë vit, ndërmori një reformë të re në sistemin e pensioneve për t’i paraprirë kolapsit që do të vijë nga plakja e popullsisë për shkak të emigracionit të lartë, i cili është faktori kryesor për një lindshmëri të ulët.
Shqipëria sot ka një popullsi të re, por parashikimet afatgjata tregojnë se në të ardhmen do të ketë një plakje të popullsisë. Rritja e pjesës që zë popullsia mbi moshën e pensionit ndaj totalit të popullsisë, shoqërohet me një rënie të pjesës që zë popullsia në moshë pune.
Kjo plakje e popullsisë do të sjellë edhe një rritje të koeficientit të varësisë së të moshuarve, i cili nga 23% në vitin 2012 rritet në 41% në vitin 2030. Më pas ritmi i rritjes gradualizohet, duke shkuar në 56.8% në vitin 2055 dhe merr vlerën më të lartë, 68.9%, në vitin 2080. Numri i pensionistëve ndaj numrit total të popullsisë do të rritet gradualisht nga 19.1% në vitin 2012 në 28.3% në vitin 2040.

Qarqet shpopullohen me 40%

Shumica e qarqeve do të provojnë një rënie në numrin e lindjeve. E kombinuar me rritjen e vdekjeve në të gjithë Shqipërinë, qarqet do të provojnë rënie në rritjen natyrore të popullsisë në të ardhmen, ka analizuar INSTAT. Tirana është qarku i vetëm ku rritja natyrore do të mbetet pozitive, rrjedhojë e një strukture më të favorshme të moshës që lidhet me migrimin e brendshëm, kryesisht nga vajzat, gjë që rrit brezat në moshën e lindjes së fëmijëve.
Ekspertët e Institutit të Statistikave, në projeksionet e tyre për popullsinë deri në vitin 2031, kanë parashikuar pesë lloje të ndryshme të ecurisë demografike në 12 qarqet e vendit. Në Tiranë, Vlorë dhe Durrës, stabilizimi ose rritja e popullsisë pritet të nxitet nga migrimi i brendshëm, si dhe nga emigrantët e kthyer në rastin e Vlorës. Grupi i dytë përbëhet nga Kukësi dhe Dibra, të cilat pavarësisht nga një tejkalim në diferencën e lindjeve kundrejt vdekjeve, do të provojnë rënie të fortë të popullsisë për shkak të balancës shumë negative të migrimit të brendshëm që përfaqëson të paktën trefishin e emigrimit jashtë. Berati dhe Fieri formojnë grupin e tretë. Pavarësisht nga një nivel negativ i rritjes natyrore, zvogëlimi i popullsisë në këto qarqe do të vijë kryesisht nga migrimet e brendshme dhe ato ndërkombëtare. Grupi i katërt përfshin Korçën dhe Gjirokastrën, të cilat mund të dallohen, janë të prekura njësoj nga rënia natyrore në nivele negative, për shkak të migrimeve ndërkombëtare dhe të brendshme. Lezha, Elbasani dhe Shkodra formojnë grupin e fundit të karakterizuar nga një tendencë drejt një numri të balancuar të lindjeve dhe vdekjeve. Rënia demografike deri në vitin 2031 nxitet kryesisht nga migrimi ndërkombëtar.

Emigracioni po shteron forcën e punës, më pak konkurruese


Popullsia në moshë pune do të bjerë me një ritëm pak më të shpejtë se sa popullsia e përgjithshme me më shumë sesa 18% në pothuaj të gjitha qarqet, përveç atyre që e shtojnë popullsinë nëpërmjet migrimit (Tirana, Vlora dhe Durrësi). Tirana është qarku i vetëm në të cilin parashikohet një rritje e konsiderueshme në forcën potenciale të punës (me 20% deri në vitin 2031, sipas skenarit normal me shpërndarje gjeografike dhe emigrim konstant brenda vendit). Rënia më e fortë në forcën e mundshme të punës parashikohet për Gjirokastrën (me -43%), si dhe për Beratin dhe Dibrën (me të paktën -30%). Emigrantët janë në masën 90% pjesa më aktive e tregut të punës. Duke ikur, lirojnë hapësirat për punësim për ata që mbeten. Efekti pozitiv i rënies së papunësisë (në mënyrë mekanike për shkak të emigrimit) përveç të tjerash qëndron dhe në faktin së reduktohen shpenzimet buxhetore për të paguar kategorinë e të papunëve. Megjithatë, në të njëjtën kohë që reduktohet buxheti për mbulimin e pagesës sociale për të papunët, si pasojë e uljes së numrit të papunësisë nga emigracioni, reduktohen dhe të ardhurat nga taksimi në buxhet, i ardhur për të njëjtën arsye, nga emigracioni. Në një situatë të tillë, shumë shpejt vendi do të humbë konkurrueshmërinë në rajon edhe për investimet e huaja. Aktualisht është krahu i lirë i punës që ka sjellë në Shqipëri kompanitë e huaja. Por gjatë dekadës së ardhshme edhe kjo mundësi duket se do të shterojë.