Shqipëri, nesër nis viti i ri shkollor, MASH uron mësuesit dhe nxënësit

0

Nesër nisi viti i ri shkollor dhe 27 mijë vogëlushë do të dëgjojnë për herë të parë zilen e shkollës. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka përcjellë urimet për të gjithë nxënësit dhe mësuesit, duke garantuar përkushtim në dhënien e dijeve. Me prioritet, tha Ministrja, do të shihen fëmijët me nevoja të veçanta dhe mësuesit që japin mësim në shkollat në zonat e thella rurale.
Ditën e martë nis viti i ri shkollor. Për herë të parë në bankat e shkollës do të ulen 27 mijë vogëlushë.
Ministrja Lindita Nikolla ka përcjellur urimet me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor për nxënësit, fëmijët me nevoja të veçanta dhe mësuesit.
Nikolla:“Një urim e zotim të veçantë për fëmijët në nevojë, me aftësi të kufizuar e jetimë, për fëmijët nga komuniteti rom e egjiptian.Zotohemi se do të bëjmë dhe më shumë për ju krahas gjithë fëmijëve të tjerë.Po ndërtojmë, hap pas hapi, vetëdijen për ta ndryshuar mënyrën e të nxënit që ju është ofruar deri më sot, me të nxënit për të cilin ju keni nevojë”.

Puna më e vështirë është për mësuesit që punojnë në zona të thella rurale që përballen me terren të vështirë dhe distanca të largëta.

Nikolla: “Ky vit do të jetë viti dedikuar mësuesit.Pasi vendosëm sistemin e punësimit sipas meritës dhe jo teserës apo xhepit, do vijojmë bashkarisht me sistemin e kualifikimit real dhe jo pazareve të krediteve fiktive si dhe përmirësimit të kushteve tuaja”.

Ministrja e Arsimit tha se 126 shkolla janë të rikonstruktuara dhe bashkë me to dhe 45 terrene të reja sportive për shkollën dhe komunitetin.

“Gjithçka mundemi për fëmijët – Kjo është detyra jonë!

Më shumë arsim!

Më shumë edukim!

Më shumë art e sport!

SUKSESE!”