Shqipëri, Mogherini: Zbatimi i Reformës në Drejtësi është vendimtar

0

Përfaqësuesja e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë, Federica Mogherini deklaron se zbatimi i Reformës në Drejtësi është vendimtar edhe për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

Në takimin që ka zhvilluar me ministrin e jashtëm shqiptar Ditmir Bushati në Nju Jork, Mogerini rikonfirmoi angazhimin dhe mbështetjen e BE-së për këtë reformë jetike për vendin. Zyrtarja e lartë europiane vlerësoi angazhimet e ndërmarra për përmbylljen e paketës kushtetuese lidhur me reformën në drejtësi, si dëshmi e vullnetit të qëndrueshëm politik për të avancuar në këtë proces.

Ministri Bushati konfirmoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar me reformat shtet-konsoliduese dhe theksoi se në këtë kontekst, miratimi me unanimet i ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi dhe fillimi i procesit të zbatimit të saj përfaqëson një arritje domethënëse në këtë drejtim dhe përbën bazë solide për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit.

Në takim u shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet më të fundit në rajon dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Ata gjithashtu u ndalën në arritjet e rëndësishme në vend, veçanërisht përmbushjen e prioriteteve kyçe për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit.