Shqipëri, me 22 shtator votohen në parlament 6 ligjet e Reformës në Drejtësi

0

Sesioni i ri parlamentar ka nisur me përplasje mes mazhorancës dhe opozitës. Shkak është bërë përfshirja në kalendarin e punimeve të 6 projektligjeve të paketës së Reformës në Drejtësi. Prishja e konsensusit për ligjin e vettingut vazhdon të jetë prezente në raportet mes pozitës dhe opozitës edhe për shqyrtimin e projektligjeve të tjera të paktës së drejtësisë.
Dje, mazhoranca ka përfshirë në axhendën e Kuvendit për votim në seancën e 22 shtatorit të gjashtë projektligjet e reformës, por ky fakt është kundërshtuar nga pakica. Sipas burimeve nga opozita, 6 projektligjet e reformës nuk mund të votohen në seancën e 22 shtatorit pasi në këtë mënyrë shkelet Rregullorja e Kuvendit. Të gjashta nismat ligjore kërkojnë shumicë të cilësuar votash, pra 84 vota, dhe si të tilla nuk mund të futen me procedurë të përshpejtuar në punimet e Kuvendit.
Kalendari i punimeve dhe programi i punës për tri javët e ardhshme ka kaluar pa konsensus në Konferencën e Kryetarëve, çka detyroi kryetarin eParlamentit ta miratojë atë gjatë nisjes së seancës. “Programi dhe kalendari nuk u miratuan sepse nuk patën konsensus të plotë, pasi patëm abstenim nga ana e opozitës, kështu që do të miratohen me votim”, u shpreh Meta. Seanca e djeshme e Parlamentit nuk është shoqëruar me diskutime politike. Asnjë prej deputetëve të opozitës nuk ka mbajtur fjalime për të shprehur qëndrime politike Kuvend për kalendarin e punimeve 3-javore. Këtë pakënaqësi opozita e ka shprehur me votën abstenim, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.