Shqipëri: Arrestohen deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku

0

Rreth orës 16:30 policia ka ekzekutuar urdhër-ndalimin e lëshuar prej Prokurorisë së Përgjithshme për dy deputetët, Tom Doshi dhe Mark Frroku, duke i dhënë fund historisë që nisi të premten e kaluar me kërkesën drejtuar Kuvendit për arrestimin e tyre.

Vendimi erdhi vetëm pak orë pasi Kuvendi votoi pro kërkesës dhe menjëherë më pas, Prokuroria e Përgjithshme lëshoi urdhër-ndalimin dhe policia zbatoi shoqërimin e deputetëve.

Mark Frroku është ndaluar në një lokal në pronësi të tij, që shërbente edhe si zyrë, ndërkohë që pothuajse në të njëjtën kohë, patrullat e policisë kanë hyrë në shtëpinë e deputetit Tom Doshi. I pari që ka mbërritur në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës ka qenë deputeti Mark Frroku, ndërkohë që shoqërimi i zotit Doshi ka vonuar disa minuta më vonë.

Paralelisht me urdhër-ndalimin, po kryhet edhe kontrolli i banesave të dy deputetëve, siç kishte pretenduar që në fillim prokuroria në kërkesën drejtuar Kuvendit.

Sipas procedurave ligjore do të jetë Gjykata e Lartë ajo që do të vendosë për masën e arrestit ndaj deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku. Pak para ndalimit të dy deputetëve, avokati i Tom Doshit, Vladimir Meçe e konsideroi arbitrar urdhër-ndalimin e Prokurorisë.

 

/top-channel/