Shkrela: Dikush po mundohet të na shfrytëzojë për të mbuluar shkeljet e ligjit

0

Këshilltari i Partisë Demokratike të Socialistëve Luigj Shkrela, tha dje gjatë seancës së Kuvendit Komunal se askush nuk duhet të mendojë se mund të shfrytëzojë PDS-në për të mbuluar zbrazëtirat në qeverisje dhe shkeljet e ligjit, duke aluduar se dikush kishte tentuar diçka të tillë.

Shkrela i cili foli pas kryetarit Fatmir Gjeka, nuk saktësoi nëse kjo i drejtohet atij personalisht apo koalicionit në përgjithësi, por u shpreh qartë se partia e tij nuk do të bëjë shumicën për votimin e pikave të rendit të ditës.

Kryetari Gjeka kishte shpresuar se në Kuvend kishte shumicën për votimin e rebalancit, por ishte e qartë se gatishmëria ekzistonte vetëm për të votuar kredinë.

Në media para disa ditëve dolën disa informata se PDS (DPS) është e gatshme të votojë rebalansin e buxhetit për ditën e mërkure, por si duket kjo ishte dezinformatë, ose ndryshim i qëndrimeve nga partia në fjalë.