SHBA: Shqipëria pjesë e Kongresit Botëror të Turizmit Aventurë

0

Kongresi Botëror i Turizmit Aventurë këtë vit është mbajtur në Alaska të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kufiri i fundëm i Botës nga 19 deri në 22 Shtator ka pritur rreth 850 delegatë nga 65 shtete të cilët i janë bashkuar komunitetit të aventurës duke promovuar destinacionet më të mira botërore turistike.
Federata Shqiptare e Rafting prezantoi Shqipërinë nëpërmjet projektit inovativ Albanian Adventure Resort duke treguar historinë e riciklimit dhe transformimit të një reparti ushtarak të braktisur, simbol i izolimit në një qendër për aktivitete sportive, vend i shpresës për një jetë mirë dhe lirisë për t’u përfshirë në aktivitetet e aventurës duke transformuar një zonë të tërë nëpërmjet turizmit.
Në një prononcim nga shteti i Alaskës, Blerina Ago e Albania Rafting tha:
“Kongresi Botëror i Turizmit Aventurë ishte shumë frytdhënës dhe në të njëjtën kohë frymëzues pasi u dhanë shumë shembuj nga e gjithë bota mbi zhvillimin e turizmit të aventurës. Në mënyrë të veçantë më bëri përshtypje se ndryshe nga vendet e tjera të zhvilluara, në vendin tonë ka një mungesë të theksuar të ndërgjegjes kolektive për mirëmbajtjen e pasurive natyrore.
Ndryshimi është po aq i dukshëm dhe në cilësinë e shërbimit të bizneseve pritëse, restoranteve, etj të cilëve iu mungon një vizion për të ardhmen dhe përqendrohen te modeli i fitimit afat-shkurtër kryesisht gjatë sezonit të verës. Në evente të tilla e kupton vërtet rëndësinë që ka turizmi për mirëqenien e vendit, për zhvillimin e zonave të izoluara dhe për ruajtjen e pasurive kombëtare dhe traditave.
Për mua ishte një mundësi e jashtëzakonshme të isha pjesëmarrëse dhe të përfaqësoja një vend të jashtëzakonshëm si Shqipëria dhe njëkohësisht do bëj të pamundurën që kur të kthehem nga ky event të përcjell mesazhin e turizmit të përgjegjshëm, të cilësisë në shërbimin turistik dhe të konsideratës për natyrën sa herë të më jepet mundësia. Padiskutim që ne mund të kthehemi në një destinacion botëror duke i dhënë turistëve sa më shumë arsye për të na vizituar dhe duke e parë veten si pjesë e diçkaje më të plotë dhe të madhe, Ballkani.
Prandaj gjatë këtyre ditëve punuam sëbashku me përfaqësuesit e Ballkanit për strategjinë 3-vjeçare në zhvillim të turizmit të qëndrueshëm, duke mos e parë njëri-tjetrin si konkurrent, por si partnerë e që ndajnë vlera dhe trashëgimi, duke rritur standardet dhe sasinë e cilësinë e produkteve turistike.”