Serbët protestë në Zveçan kundër ligjit për Trepçën

0

Qindra protestues serbë kanë bllokuar rrugën Zveçan- Leposaviq, në fshatin Rudar.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se protesta është duke vazhduar e qetë dhe pa incidente, ndërsa policia është duke e vëzhguar këtë protestë.

Telegrafi mëson se janë parë edhe automjetet zyrtare të ministrave serbë në Qeverinë e Kosovës, por pa targa.

Protestuesit serbë janë mbledhur për të kundërshtuar procedimin e projektligjit të Trepçës, për të cilin do të votohet sot në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Në këtë protestë përveç punëtorëve të shkritores “Trepça”, po marrin pjesë qytetarë të shumtë serbë, studentë, nxënës të shkollave si dhe kryetarët e katër komunave veriore të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, seanca e Kuvendit të Kosovës do të mbahet sot në orën 15:00, ndërsa si pikë e veçantë të rendit të ditës do të jetë projektligji për Trepçën