Sekretari për financa: Kryetari Gjeka i ka nënshkruar të gjitha faturat e shpenzimeve të tejkaluara

0

Sekretari për financa në Komunën e Ulqinit Valdet Axhemoviq, ka dërguar një deklaratë për media në lidhje me deklaratat e ditëve të fundit nga Kryetari i Komunës Fatmir Gjeka dhe ai i Kuvendit Fuad Haxhibeti, në lidhje me shpenzimet e tejkaluara të buxhetit.

Në deklaratën e vet, sekretari Axhemoviq thotë se tejkalimi i shpenzimeve të kabinetit të kryetarit Gjeka, për vitet 2014 dhe 2015 ka kapur shifrat e mbi 300.000 eurove.

Sekretari për financa bën të ditur se të gjitha këto fatura janë nënshkruar personalisht nga kryetari Gjeka, i cili me ligj është institucioni përgjegjës për përcjelljen dhe realizimin e buxhetit.

Siç thotë Axhemoviq, kryetari Gjeka një kohë të gjatë ka qenë edhe vetë sekretar për financa, dhe si i tillë duhej t’i kishte të njohura normat ligjore të cilat duhej t’i respektonte, prandaj habit fakti që këto nuk i përmend në deklaratat e veta, por flet vetëm për Sekretariatin për Financa.

Duke mos dashur të besojë se këto deklarata janë bërë me qëllime dashakeqe, thotë më tej Axhemoviq, por si rezultat i njohjes jo të mjaftueshme të rregullave ligjore në këtë fushë, I BËJ THIRRJE KRYETARIT TË KOMUNËS QË TË BËJË PUBLIKE ANALIZËN E SHPENZIMIT TË MJETEVE TË BUXHETIT, EMRAT E TË GJITHË PERSONAVE TË CILËVE U JANË PAGUAR KËTO MJETE, SHUMAT QË U JANË PAGUAR, EMRAT E ATYRE QË JANË PËRGJEGJËS PËR PAGESËN E KËTYRE MJETEVE, SI DHE PROCEDURAT QË U KANË PARAPRIRË KËTYRE PAGESAVE, PASI BËHET FJALË PËR MJETET E QYTETARËVE, TË CILËT KANË TË DREJTË TË DINË SE KU ATO KANË SHKUAR.

“Ky është një apel dashamirës, sepse besoj se vetëm në këtë mënyre Kryetari i Komunës do të largojë nga vetja dyshimin për shpenzime të pabaza të mjeteve të buxhetit”, thuhet në përfundim të deklaratës së sekretarit Axhemoviq.

Deklaratën integrale të dërguar mediave në gjuhën malazeze mund ta lexoni më poshtë.

Saopštenje za javnost