Seanema Film Festival, prej 15-18 shtator vjen edicioni i dytë

0

Seanema Film Festival vjen këtë vit me edicionin e saj të dytë, në datat 15-18 shtator. Ky festival, i realizuar për here të parë në shtator 2015 nga shoqata jofitimprurëse “iACT” (“Unë veproj”), po kthehet tashmë në një ngjarje me interes të veçantë për qytetin e Ulqinit.

Festivali i Filmit Seanema sjell në vëmendjen e publikut problematika të ndryshme të shoqërisë, me qëllim informimin dhe ndërgjegjësimin rreth fenomeneve që cënojnë mirëqenien sociale dhe ekonomike, në vend dhe në rajon.

Kujtojmë që vitin e kaluar u trajtuan dy tema, lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit. Nëpërmjet shfaqjes së disa filmave dokumentarë, të shoqëruar me panele të hapura për diskutim, publiku u njoh më afër me këto fenomene dhe diskutoi rreth tyre në praninë e të ftuarve të shquar nga trupa akademike, arti, shoqëria civile dhe politika.

Këtë vit, Seanema Film Festival trajton luftën kundër pabarazisë gjinore dhe ekstremizmin e dhunshëm. OJQ “iACT”, synon të adresojë `hendeqet` që ekzistojnë  në diskursin publik rreth këtyre fenomeneve shoqërore.

Sa i ndërgjegjësuar është komuniteti ynë për mungesën e emancipimit të vajzave dhe të grave tona, si edhe a ekziston ndërgjegjia kolektive që pabarazia gjinore cënon progresin e qenësishëm të shoqërisë? Çfarë hapash duhet të ndërmerren për të ndikuar në emancipimin e vajzave dhe grave? A mjafton vënia në punë e mekanizmave institucionale si hartimi i politikave mbështetëse dhe promovuese për nxitjen e barazisë gjinore?

Nga ana tjetër, do diskutojmë rreth ekstremizmit të dhunshëm, një fenomen në rritje dhe i cili po kërcënon sigurinë dhe stabilitetin edhe të vendeve të zhvilluara perendimore.

Sa janë të prirur të rinjtë tanë të bien pre e ndikimit të rrymave apo sekteve fetare? A është në gjendje komuniteti ynë të reflektojë mbi këto fenomene në një ambient ku mbizotëron kultura fetare? A jemi te njohur me shkaqe të tjera që nxisin ushtrimin e dhunës në përmasa ekstreme?

Këto dhe çështje të tjera që lidhen me pabarazinë gjinore dhe ekstremizmin e dhunshëm do të diskutohen gjatë ditëve të festivalit të filmit në Ulqin ku do të jenë të ftuar personalitete të huaj dhe vendas, të shquar në fushat e tyre të veprimit si: arti, politika, teologjia, aktivizmi, etj.

Në kuadër të organizimit të Seanema Film Festival, “iACT” fton të gjithë të rinjtë e interesuar dhe që kanë dëshirë të kontribuojnë, të bëhen pjesë e ekipit organizator duke plotësuar pyetësorin e aplikimit për vullnetarë në: http://seanema.me/call-for-volunteers/

iact66