Seanema Film Festival: Një eveniment artistik që synon të bëhet tradicional

0

Seanema Film Festival, i cili ka dy ditë që po tërheq dashamirësit e artit të shtatë nga Ulqini, nuk do të jetë vetëm një ngjarje e këndshme dhe kalimtare.

Organizatorët e tij, shoqata “iACT”, synojnë që ky festival të kthehet në dicka tradicionale për qytetin tonë.
Koordinatorja e kësaj shoqate Drita Llolla, thotë për portalin tonë se zgjedhja e Ulqinit si vendi ku do të mbahej festivali nuk ishte e rastësishme, pasi ato kishin si qëllim që të kontribuonin sadopak në skenën kulturore dhe artistike të qytetit.
Duke u nisur nga fakti që Ulqini nuk ka kinema atëherë zgjedhja ra në organizimin e një festivali të filmit, duke i ofruar në këtë mënyre qytetit dicka që i mungon.
Drita shprehet shumë e kënaqur nga pritja që festivali ka hasur tek publiku, duke mbledhur në dy netët e para një numër të madh shikuesish.

“Fakti që gjatë transmetimit ka mbretëruar qetësi absolute tregon se publiku ka qenë i interesuar” thotë ajo.

Cilësia e programit, e projektimit, promovimi i festivalit por edhe detajet e tjera të organizimit duhej të ishin në nivel, në mënyrë që të mbanin spektatorin për karrige, thotë Drita.
Ajo thekson se organizimi ka pasur edhe sfidat e veta, të lidhura pikësëpari me mbledhjen e fondeve, pasi si shoqatë e re joqeveritare iu është dashur që të fitojnë besimin e donatorëve.
Të gjitha këto, thotë ajo, bëheshin edhe më të vështira pasi shoqata nuk kishte ambientet e veta. Me këtë rast ajo falenderon për ndihmën e tyre dy organizatat tjera joqeveritare të Ulqinit, MogUl dhe Horizonti i Ri, të cilat ofruan ambientet e veta në dispozicion.
Përsa i përket vetë OJQ-së “iACT”, Drita thotë se si antarë ata u organizuan gati në mënyrë spontane, me dëshirë që sidomos tek të rinjtë të promovojnë vlerat qytetare dhe kulturore, si dhe ngritjen e vetëdijes për problemet shoqërore.

Ajo premton se festivali është vetëm fillimi i aktiviteteve të tyre që planifikojnë në të ardhmen.

Edhe ne si portal i përgëzojmë ata për festivalin dhe u urojmë suksese në punën e mëtejshme.