Së shpejti fillojnë punimet për ndërtimin e shkollës në Sukubinë

0

Sot, në kabinetin e Kryetarit të Komunës së Ulqinit u nënshkrua kontrata me përfaqësuesit e konzorciumit Artek&Ing- Invest nga Podgorica që janë përzgjedhur në tender për ndërtimin e shkollës në Sukubinë. Në ceremoninë e rastit krahas zyrtarëve të pushtetit vendorë ishin dhe përfaqësues të diasporës tonë në SHBA.

Shkolla e re do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 450 metra katrorë, do të ketë katër klasë të pajisura me të gjitha mjetet e nevojshme. Po ashtu do të instalohet sistemi i ngrohjes dhe i ftohjes. Ky investim i rëndë rreth 300 mijë euro, është i pari i këtij lloji që do të realizohet falë bashkëpunimit trilateral të Komunës, Ministrisë së Arsimit dhe dijasporës tonë në SHBA. Afati i përfundimit të këtij projekti është 12 muaj.

Kryetari Gjeka, duke përshëndetur të pranishmit tha se ndërtimi i këtij objekti është imperativ i kohës që të sigurojmë një shkollë të re moderne që do të jetë në funksion dhe në shërbim të nxënësve dhe personelit arsimorë. Ai edhe me këtë rast i shprehu mirënjohje diasporës dhe Ministrisë së Arsimit.

Në emër të Konzorciumit foli drejtori ekzekutiv Marko Pavliceviq i cili premtoi se kontrata do të realizohet në tërësi dhe para afatit të paraparë, ndërkohë që në emer të diasporës përshendeti z.Cafo Boga.