Rruga e kombit: Tenderi në shtator, çmimi rreth 5 euro

0

Katër kompani kanë dorëzuar ofertat pranë Ministrisë së Transportit të Shqipërisë për t’u bërë pjesë e garës së dhënies me koncesion të autostradës Milot-­Morinë, me qëllim ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e saj.

Burime nga kjo ministri, bëjnë të ditur se hapja e ofertave dhe vlerësimi i tyre do të bëhet më datë 15 shtator, në mënyrë që ky aks të kalohet vetëm duke paguar një taksë të caktuar. Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës ka publikuar njoftimin e kontratës për kompanitë e interesuara koncesionare dhe data 23 mars ka qenë afati i fundit për dorëzimin e kërkesës për kualifikim.

Deri më tani, nga drejtuesit e këtij institucioni është thënë që taksa për kalimin në këtë rrugë do të jetë rreth 5 euro, dhe duket se kompania e përzgjedhur do të jetë ajo që ka një ofertë rreth kësaj vlere.

Objektivi kryesor i këtij koncesioni është përmirësimi i autostradës, funksionimi dhe mirëmbajtja efektive e saj.

Koncesioni do të zgjasë për një periudhë 30-vjeçare dhe kompania fituese do të mbledhë dhe të mbajë të ardhurat nga taksa, dhe në këmbim do të ketë përgjegjësinë për të zbatuar dhe financuar përmirësimet e autostradës, të ndërtojë një urë të re mbi lumin Drin në Kukës dhe të zbatojë punimet më urgjente gjeo-teknike të stabilizimit.