Rritet numri i azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani. Shifrat janë alarmante

0

Një raport i Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë tregon se numri i azilkërkuesve shqiptarë në 3 muajt e parë të këtij viti ka pësuar rritje. Shqipëria renditet në vendin e tretë mes dhjetë vendeve nga mbërrin fluksi i azilkërkuesve. Kosova mban vendin e parë.

Në muajin janar, 1648 shqiptarë kërkuan azil në Gjermani, në shkurt 1794 dhe në mars 3020. Shifrat tregojnë shtimin e kërkesave për azil nga qytetarët shqiptarë nga muaji në muaj.

Kosova ka patur 3630 kërkesa në janar, 7728 në shkurt dhe në 11729 mars. Në vendin e dytë është Siria, një vend në konflikt. Vetëm ditët e fundit nga qyteti i Kukësit janë nisur drejt Gjermanisë me qindra qytetarë, një pjesë e të cilëve mendohet se janë regjistruar si azilkërkues, duke shkelur rregullat e liberalizimit të vizave.

Ministria e Brendshme e pranoi fluksin e largimeve nga Kukësi kur me 10 prill, me anë të një njoftimi për shtyp tha se kishte konstatuar një numër të lartë aplikimesh për pasaporta. Po kështu ajo iu drejtua qytetarëve duke u thënë se e kanë të pamundur të përfitojnë azil në vendet e Bashkimit Europian. Policia, nga ana tjetër, shtoi kontrollet në pikat e kalimit kufitar dhe rriti kërkesat për dokumentacionin e nevojshëm që duhet për të udhëtuar pa viza.

Në dhjetor të vitit të kaluar një fenomen i ngjashëm u regjistrua në qytetin e Vlorës. Afro 600 persona u dyndën në portin e Vlorës dhe shumë prej tyre kishin destinacion Gjermaninë. Kjo situatë dërgoi në Vlorë ambasadorin gjerman, Hoffmann bashkë me Ministrin e Brendshëm. Ambasadori deklaroi se “që prej një viti numri i shqiptarqve që kërkojnë azil në Gjermani është rritur”.

Nuk dihet saktësisht numri i azilkërkërkuesve nga Mali i Zi, pasi për dallim nga vendet tjera, shqiptarët këtu preferojnë largimin për në SHBA.

Gjithsesi, duke përcjellur rrjetet sociale dhe informatat jozyrtare, situata edhe këtu është tejet alarmante.