Rreziku nga terrorizmi, Italia dëbon 5 shtetas nga Maqedonia, ishin pro Shtetit Islamik

0

Italia ka dëbuar së fundmi pesë shtetas maqedonas pasi ata kishin bërë propagandë terroriste në rrjetet sociale, duke mbështetur ekstremistët e Shtetit Islamik. Në një komunikatë për mediat, Ministri i Brendshëm Alfano, u shpreh se kjo praktikë përdoret për të parandaluar terrorizmin dhe ekstremizmin. Ai shtoi se personat që promovojnë dhunën dhe organizatat terroriste përbëjnë një kërcënim kombëtar.
Pesë shtetas maqedonas janë dëbuar nga Italia për shkak se kishin bërë propagandë pro-ISIS në rrjetet sociale.
Lajmi është komunikuar nga zyrtarët të cilët nënvizuan se këta individë shiheshin si një rrezik për sigurinë kombëtare. Ata njoftuan se të pesë personat jetonin të gjithë në provicën e Goricia, që ndodhet shumë pranë me kufirin slloven.
Për mediat u prononcua edhe Ministri i Brendshëm i Italisë, Angelino Alfano, i cili u shpreh se ky ishte një hetim i cili kishte nisur prej dy vitesh, pasi autoritetet kishin nuhatur një aktivitet të dyshimte të tyre.
Alfano tha se në rrjetet sociale që menaxhoheshin nga pesë shtetasit maqedonas postoheshin vazhdimisht mesazhe pro Shtetit Islamik.
Italia e ka përdorur praktikën e dëbimin shpesh përgjatë viteve të fundit. Që prej vitit 2015 e deri më tani ka patur në total 121 persona që janë dëbuar nga vendi, 55 prej të cilëve gjatë këtij viti. Mes tyre ka patur edhe shtetas shqiptar, ku mund të përmendet rasti i biznesmenit shqiptar Sajmir Hidri. Edhe për këtë të fundit, autoritetet raportuan se ai kishte vizituar faqe të ndryshme në internet që menaxhoheshin nga ekstremistët e Shtetit Islamik.