Rrezart Cungu, lë mbrapa edhe një sezon mbresëlënës!

0

Gazeta Vijesti ka publikuar sot një artikull për talentin ulqinak të tenisit, Rrezart Cungu, i cili këtë vit ka shkëlqyer në lojën e tij dhe është i 13-ti në botë për kategorinë deri në 16 vjeç.

Vijesti e përshkruan Rrezartin si modest, pa frikë dhe njeri që nuk i toleron dështimet. Përveç teknikës dhe shpejtësisë, ndër armët e tij më të forta është gjakftohtësia në fushë.

Trajneri i tij, kroati Zoran Ivanisevic, është shprehur se viti i ardhshëm mund të jetë vendimtar në karrierën e tij deri tani të shkëlqyër. Për këtë vit, thotë Ivanisevic, qëllimi është Masters dhe futja në 12 më të mirët.

Rrezarti thotë se është krenar për titullin që ka marrë në Tiranë, por edhe për lojën më Moskë, ku mbahet turneu më i fortë për lojtarët deri në 16 vjeç. Por, ai shprehet se përjetimi më i mirë për të është kur luan në Ulqin.