Rasti K1: Nimanbegu i kërkon Medenicës shkarkimin e gjygjtares

0

Deputeti i Forcës Genci Nimanbegu, i kë dërguar Gjykatës së Lartë të Malit të Zi, gjegjësisht kryetares së kësaj gjykate Vesna Medenica, ankesë për punën e gjykatëses së Gjygjit Ekonomik të Podgoricës Milica Popoviq, në lidhje me çështjen e njohur si K1.

Njëkohësisht, Nimanbegu i ka dërguar edhe iniciativën për shkarkimin e kësaj gjykatësje, për shkak të shkeljes së kompetencave dhe gjykim të njëanshëm.

Kjo çështje ka të bëjë me padinë e kompanisë AD “Rekreaturs” nga Budva ndaj Komunës së Ulqinit për shëmbjen e objekteve të përkohshëm në Plazhin e Madh. Kjo kompani kërkon 10.5 milionë euro dëmshpërblim nga Komuna.

Nimanbegu në shkresën dërguar Gjykatës së Lartë, ka argumentuar me fakte se Gjykata Ekonomike nuk është kompetente për këtë çështje, duke i bashkangjitur edhe shembullin e njëjtë nga viti 2011, ku kjo gjykatë e ka shpallur veten jokompetente për raste të tilla.

Është e qartë, thuhet në iniciativën e Nimanbegut, se gjykatësja Popoviq me vetëdije të plotë po injoron kërkesën për shpalljen e kësaj gjykate si jokompetente, duke hedhur dyshime se për këtë ekzistojnë edhe arsye të saja personale. Siç duket, gjykatësja Popoviq, po mundohet të zvarrisë çështjen me qëllim që të shmang skandalin, pasi me vite po gjykon çështje për të cilën nuk ka kompetencë dhe për këtë është plotësisht e  vetëdijshme.

Vazhdimi i mëtejshëm i këtij gjykimi skandaloz është një goditje rëndë për themelet e drejtësisë në Mal të Zi, çka nuk do të kalojë pa u vërejtur nga faktori ndërkombtar, prandaj ndërhyrja e Gjykatës së Lartë është e domosdoshme me qëllim evitimin e plasjes së një skandali të ri juridik, thuhet në mes tjerash në iniciativën e Nimanbegut.