Rama: S’ka NATO për Maqedoninë pa garantuar “Ohrin” (video)

0
Albania's Prime Minister Edi Rama, in a televised address in the capital, Tirana, on Friday.

Shqipëria vendos veto Maqedonisë: Jo pjesë e NATO-s pa garantuar marrëveshjen e “Ohrit”.

Deklarata e fortë u bë këtë mëngjes nga kryeministri Edi Rama gjatë ditës së dytë të samitit rajonal kundër terrorizmit ku marrin pjesë ministrat e Brendshëm të rajonit. Kryeministri Rama në fjalën e tij tha se ngjarjet e fundit të ndodhura në Kumanovë janë përdorur për të ngatërruar termin shqiptar me atë terrorist e për këtë arsye kjo është e papranueshme për shtetin shqiptar. Për këtë arsye sipas kryeministrit pavarësisht dëshirëssë mirë për anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat e NATO-s kjo do të jetë e pamundur për sa kohë nuk garantohet respektimi i marrëveshjes së Ohrit qe garanton liritë e komunitetit shqiptar qe jetojne ne vendin fqinj.

“Fatkeqësisht në Kumanove fjala terrorizëm dhe shqiptar u bënë bashkë në një përpjekje për t’i dhënë etnisë një prapashtesë terroriste dhe kjo është e papranueshme jo vetëm për ne por dhe për shtetin maqedonas. Ky shtet duhet ta ketë të qartë se shqiptarët mbeten një faktor shtetformues për faktorin maqedonas. Asgjë më e rrezikshme nuk mund të na ndodhe në luftën kundër terrorizmit sesa përfshirja e termit terrorist në trajtimin e ngjarjeve maqedonase. Përzierja e këtyre termave do të jetë e papranueshme për ne njësoj si terrori që përjetuan banorët e pafajshëm të Kumanovës. Të gjithë ne duam një Maqedoni të qëndrueshme por jo të pajetueshme, duam një Maqedoni që të bëjë pjesë në NATO por jo si grusht ushtarak. Maqedonia nuk mund të bëjë pjesë në NATO pa garantuar Marrëveshjen e Ohrit”, u shpreh Rama.

Po ashtu referuar terrorizmit Rama u shpreh se terrorizmi është një nga shqetësimet më të mëdha që ka aktualisht rajoni ynë dhe se ai përbën një kërcënim real për të gjithë Ballkanin.

Po ashtu kryeministri Rama theksoi se është e domosdoshme që të gjitha vendet e rajonit të bashkëpunojnë në luftën kundër terrorizmit.

“Të gjithë e dimë se viti i shkuar që përkonte me 100 vjetorin e luftës së parë botërore ishte dhe viti i parë në historinë tonë kur të gjithë ne mund të uleshim në një tryezë të përbashkët ku mund të diskutonim për të ardhmen dhe një paqe që Ballkani nuk e ka përjetuar më parë në funksion të një bashkëpunimi rajonal që është në interes të gjithsecilit. Jemi të vetëdijshëm se kjo paqe është fryt i një përpjekje të kahershme edhe e partnerëve tanë siç janë SHBA dhe BE.

Jam i vetëdijshëm se koha për të qëndruar me kokën pas ka kaluar por bashkëpunimi në rajon dhe kontributi ynë është një sfidë e rëndë dhe që askush prej nesh nuk mund ta përballojë dot pa mbështetjen e BE si destinacion por dhe si partneri ynë në përpjekjen për tu integruar në këtë familje evropiane.

Mbështetja e të gjithë liderëve të rajonit në funksion të frenimit të këtij kërcënimi ka patur një impakt pozitiv. E vërteta është se jemi të gjithë më pranë me Brukselin sesa me njëri-tjetrin dhe ky është problem i yni i përbashkët që duhet të vazhdojmë të punojmë.

E shohim në jetën e përditshme se sa shumë kjo paqe është e kërcënuar nga kompleksiteti i botës ku jetojmë, nga kërcënimet që vijnë prej konflikteve që vazhdojnë pranë kufijve të Evropës, nga dhuna e terrorizmi që janë faktor shumë shqetësues për shoqëritë tona. Në një botë ku çdo gjë nuk zhvillohet larg nesh.

Bëhet fjalë për një sfidë që nuk është lokale, por rajonale dhe globale. Ky është një realitet që zhvillohet fare afër nesh dhe pavarësisht se ndodh larg, nga sekondi në sekond mund të ndodhë edhe pranë nesh,” – tha Rama.