Qendrës për kulturë i “fluturojnë” 140.000 euro. Komuna hesht, Prokuroria s’lëviz

0

Qendra për kulturë në fund të vitit të kaluar humbi lëndën gjygjësore me pronarin e ish lokalit “Fama” në Plazh të Vogël, pasi në mënyrë të njëanëshme dhe ,sic e ka cilësuar gjykata, të paligjshme, ka shkëputur kontratën e qiradhënies në vitin 2010.

Si pasojë e këtij veprimi, gjykata vendosi që Qendra për kulturë duhet pronarit ti paguaj dëmin e krijuar, i cili u vlerësua në 140.000 euro.

Por e gjithë ngatërresa është pak më e thellë se sa duket në shikim të parë.

Disa burime që e njohin situatën, thonë se nuk ishte Qendra për kulturë ajo që e shkëputi kontratën me “Famën”, por Komuna e Ulqinit, e cila nuk kishte kompetenca për dicka të tillë, prandaj erdhi edhe humbja e lëndës në gjykatë.

Sipas këtyre burimeve, ishte Sekretariati për ekonomi që nisi procedurën për shkëputjen e kontratës dhe autorizoi Policinë komunale për të ndërhyrë në konfiskimin e inventarit.

E gjithë kjo aventurë qytetarëve të Ulqinit u kushtoni tani mbi 140.000 euro, kurse organet kompetente bëjnë thuaj se nuk ka ndodhur asgjë.

As Komuna e Ulqinit e as Qendra për kulturë nuk kanë paraqitur lajmërim pranë Prokurorisë ndaj personave që me vendimet e paligjshme i kanë shkaktuar dëm, kurse Prokuroria vetë as nuk lëviz për të verifikuar se pse erdhi tek kjo situatë.

Eshtë e pakuptimtë se si Komuna në bazë të lëndëve gjygjsore humb cdo vit miliona euro, kurse Prokuroria as nuk e gjen të rastit të hetojë se si ka ardhur deri tek kjo gjendje dhe cilët janë përgjegjësit.