Qendra për Kulturë: Përurohet botimi “Libri për Tivarrin” (foto)

0

Sonte në galerinë e arteve të Qendrës për Kulturë u bë përurimi i botimit “Libri për Tivarrin” i përgatitur nga shkrimtari i njohur Hajro Ulqinaku.

Në sallën e mbushur përplot, ishin të pranishëm personalitete të qytetit nga fusha të ndryshme, ku spikatnin më së shumti ato që për Masakrën e Tivarit kanë thurur edhe vargjet e veta.

Në fjalën përshëndetëse pedagogu dhe gazetari Ismet Kallaba, theksoi vlerën e këtij botimi për një nga plagët më të hidhura të historisë moderne shqiptare.

Përvec z.Kallaba, në përurim fjalën e morën edhe poetë vendas të cilët i kanë kushtuar vargje kësaj tragjedie. Poeti Hajredin Kovaci recitoi disa poezi kushtuar kësaj tragjedie të përmasave kombëtare, por për të cilën shumë pak është folur në të kaluarën.

Poeti dhe gazetari Ibrahim Berjashi, foli edhe për familjet të cilat kanë ndihmuar në strehimin e disa prej atyre që i shpëtuan masakrës, ku vecoi familjen e Samilbeqirëve nga Ana e Malit dhe familjet Maraj e Mujaj nga Kraja.

Në përurim foli edhe poeti, gazetari dhe mësimdhënësi i njohur Haxhi Shabani , i cili tha se për masakrën e Tivarit duhej të ishte shkruar më shumë dhe më herët, edhe pse jo gjithmonë një temë tragjike nxjerr edhe punime me vlerë.

Aktori Shefqet Luca dhe nxënësja Neira Mujali recituan disa poezi kushtuar Masakrës së Tivarit, të cilat ngjallën duartrokitjet por edhe emocionet e të pranishmëve.