Pushteti në Ulqin pranë formimit. Të kënaqur vetëm në PDS

0

Formimi i pushtetit lokal në Komunën e Ulqinit duket se po fiton kornizat e para, pas pajtimit të Forcës që të përkrah kandidatin e PDS për kryetar.

Kjo rrjedhë e ngjarjeve nuk është në favor të asnjë partie shqiptare, sidomos vetë Forcës, e cila ka aspiruar që të ruaj postin e kryetarit.

Pakënaqësi ka edhe tek koalicioni i mbledhur rreth Partisë Demokratike si dhe tek UDSH, të cilat nuk është sekret se kanë lobuar haptas që Forca të lihet jashtë koalicionit në mënyrë që ato të përfitojnë më shumë poste.

Pjesmarrja e të gjithëve në pushtet, pa marrë parasysh ndarjen e posteve, mund të kënaq vetëm Partinë Demokratike të Socialistëve, pasi posti i kryetarit të komunës është i vetmi me rëndësi reale.

Në komunat e tjera ku PDS ka udhëhequr pushtetin në koalicion me partitë më të vogla, (Tuz, Herceg Novi) zakonisht këto të dytat kanë pasur edhe humbjen më të madhe të votave në zgjedhjet pasardhëse, cka është reale të ndodh edhe në Ulqin.

E vetmja gjë pozitive për partitë shqiptare është se në periudhën e ardhëshme kritikat më mëdha për problemet me të cilat përballet Ulqini do të drejtohen në adresë të PDS-së, por vështirë të thuhet nëse do të kenë ndonjë përfitim real nga kjo.