Pushteti i ri: Së shpejti priten emërimet e sekretarëve dhe drejtorave

0

Pushteti i ri i sapoformuar në mes partive shqiptare dhe PDS-së, tashmë ka emëruar disa prej posteve politike, përvec dy nënkryetarëve, dhe së shpejti pritet edhe hapja e konkurseve për sekretarë dhe drejtora të ndërmarrjeve publike.
Përvec PDS-së e cila i ka caktuar kandidatët e vet për postet që pretendojnë, partitë shqiptare akoma nuk kanë dalë me emra konkret, edhe pse disa spekullohen nëpër media.

UDSH, gjegjësisht kryetari Mehmet Zenka, synon vendin e drejtorit të ndërmarrjes “Veprimtaritë komunale” si dhe njërin prej sekretariateve, por akoma nuk dihet se cilin.

Nënkryetarja e partisë Hadixha Gjoni vec është emëruar nënkryetare e Komunës në seancën e fundit të Kuvendit.

Nënkryetari tjetër është Vaso Radoviq i PDS-së, kurse PD dhe Forca akoma nuk kanë shpallur kandidatët e vet.

Qarkullojnë zëra se Zenepe Lika mund të vazhdojë të mbajë këtë post edhe në të ardhmen, kurse nga Forca akoma nuk dihet. Një nga figurat e përfolura për këtë post është Arian Murati, kryetar aktual i klubit të këshilltarëve të Forcës.

Sa u përket sekretariatëve duket se në shumicën e rasteve do të qëndrojnë të mëparshmit, përvec atyre që pretendohen nga parti tjera.

PDS si kandidat për sekretar për urbanizëm ka emëruar Aleksandër Daboviq, kurse për financa Sead Osmanoviq.

Se kush do të mbulojë postet drejtues të ndërmarrjeve publike është e mbuluar edhe me më shumë mister.

Forca do të udhëheq Agjensinë për zhvillim dhe Organizatën Turistike, kurse PD “Ujësjellës-Kanalizime”, Qendrën për kulturë dhe atë për Mbrojtjen dhe kultivimin e egërsirave.

Si kandidat kryesor për drejtor të OT-së nëpër media është përmendur Ardian Mavriq, kurse pritet që Shpetim Maraj të vazhdojë të drejtojë Agjensinë.

Qendrën për kulturë, po ashtu sipas disa mediave, do ta udhëheq Ahmet Aloshi, kurse tek Ujësjellës -Kanalizime dhe Mbrojtja e egërsirave nuk pritet të ketë ndryshime.

Gjithsesi, këto janë vetëm spekullime, cka do të thotë se mund të ketë ndryshime emrash nga të gjitha partitë.