Pushimet e fundvitit: Mali i Zi parajsë për (jo) punëtorët?

0

Me rastin e Vitit të Ri dhe festës fetare të Krishtlindjeve, nga të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit më shumë ditë pushimi do të kenë qytetarët e Malit të Zi, ku për Vitin e Ri nuk do të punohet dy ditë, ndërkohë që tre ditë do të festojnë besimtarët e fesë katolike dhe ortodokse me rastin e Krishtlindjeve, ndërsa qytetarët e vendeve tjera të rajonit kanë më pak ditë pushimi.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale të Malit të Zi njoftoi se me rastin e festave fundvitit, ditët e pushimit në Mal të Zi do të jenë 1 janari dhe 2, si dhe 6, 7 dhe 8 janari 2015 për anëtarët e besimit ortodoks. Përveç kësaj, me rastin e festës së Krishtlindjeve, për punonjësit e besimit romano-katolik ditë pushimi janë 24, 25 dhe 26 dhjetori.

Ditë pushimi zyrtar në Shqipëri janë 25 dhjetori dhe 1 dhe 2 janari, ndërkohë që më 6 janar dhe 7 janar, nuk ka pushime zyrtare. Kalendari i festave zyrtare në Shqipëri nuk ka parashikuar ditë pushimi në rastin e Krishtlindjeve ortodokse.

Qytetarët e Kosovës, sipas kalendarit të festave zyrtare do të pushojnë më 25 dhjetor, se dhe më 1, 2 janar për Vitin e Ri, dhe më 7 janar, me rastin e shënimit të festave të Krishtlindjeve për besimtarët ortodoksë. 

Ngjashëm do të pushojnë edhe qytetarët e Serbisë ku sipas Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale të Serbisë, ditë jo pune dhe pushimi zyrtar në atë vend do të jenë 1 janar dhe 2, me rastin e Vitit të Ri, si dhe 7 janari, kur besimtarët ortodoksë do festojnë Krishtlindjet. Përveç kësaj, e enjte 25 dhjetor, me rastin e Krishtlindjeve katolike, shënohet si ditë feste vetëm për besimtarët katolikë.

Sipas Ligjit për Festat në Federatën e BeH, Viti i Ri festohet më 1 dhe 2 janar. Përveç kësaj, ditë jo punë në këtë entitet janë 25 dhjetori dhe 7 janari  me rastin e festave të Krishtlindjeve katolike dhe ortodose, por vetëm për ata që shënojnë këto festat fetare.

Përveç festave të cilat në Federatën e BeH festohen si festa shtetërore, me Ligjin e Punës është përcaktuar e drejta e të punësuarve që të mungojnë nga puna për katër ditë në një vit kalendarik, për të përmbushur nevojat fetare apo tradicionale.

Në anën tjetër, në entitetin e dytë të BeH, Republika Srpska, qytetarët do të pushojnë më 1 dhe 2 janar me rastin e Vitit të Ri, ndërkohë që do të kenë nga dy ditë pushimi me rastin e Krishtlindjeve katolike, përkatësisht ortodokse.

Qytetarët e Maqedonisë gjatë festave të fundvitit në dispozicion kanë katër ditë pushimi. Sipas Ligjit për festa në Maqedoni, ditë pushimi zyrtar janë 1 janar dhe 6 dhe 7 janari me rastin e festës së Krishtlindjeve ortodokse, ndërsa më 25 dhjetor nuk punojnë anëtarët e besimit katolik.

Gjatë festave të fundvitit qytetarët e Kroacisë gjithashtu do të kenë në dispozicion katër ditë jo pune. Ditë pushimi në këtë vend do të jenë 1 janar, si festë e Vitit të Ri, si dhe 6 janari, kur do të shënohet festa e Tre mbretërve te shenjtë. Gjithashtu, ditë jo pune në këtë vend janë edhe 25 dhe 26 dhjetori kur shënohen Krishtlindjet katolike, përkatësisht Shën Stefani.