Publikohen pamjet nga sulmi mbi ambasadën shqiptare

0

Ambasada shqiptare në Podgoricë të Malit të Zi në dy ditët e fundit është bërë dy herë objekt sulmesh nga persona të ndryshëm, të cilët kanë shkaktuar jo thjesht dëme në pjesën e jashtme të godinës, por kanë hyrë edhe në brendësi të saj. E gjitha kjo ka ndodhur edhe në praninë e policisë.
Top Channel publikoi pamjet ekskluzive të dy ditëve të fundit nga të cilat mund të dallohet lehtësisht se si këta persona me kapuç në kokë për të mos u dalluar kanë kryer sulmet e tyre jo vetëm natën, por edhe ditën dhe në prani të policisë.
Edhe pse policia aktualisht është prezente në ambasadë frika për një sulm të tretë ekziston.
Nga pamjet dallohet qartë se si 3 persona godasin brutalisht godinën duke hyrë edhe në brendësi të saj pasi kanë shkelmuar derën kryesore. Ndërkohë, punonjësi i policisë, i vënë në ruajtje të godinës, qëndron krejtësisht indiferent.
Sipas medias malazeze, 3 personat, të cilët më pas janë arrestuar nga policia vendase kanë thyer xhamat e ambasadës dhe të një lokali të ndodhur pranë saj. Por veç dëmeve materiale nuk pati të lënduar në njerëz, duke përfshirë këtu edhe personelin e ambasadës shqiptare.
Menjehere pas ketyre ngjarjeve ministri i Jashtëm shqiptar reagoi duke kërkuar shpjegime nga homologu i tij malazez.
“Do ju kërkoja të gjithë shqiptarëve që jetojnë në rajon, që të tregonin të njëjtën maturi që tregoi ekipi ynë kombëtar”, tha ministri Ditmir Bushati, në Kuvend.