Pse heshtet për incidentin në Irish Pub?

0

Përderisa të shtunën në Ulqin ka ndodhur një incident i cili ka për motiv nxitjen e urrejtjes nacionale dhe cënimin e të drejtave të njeriut, për të cilin ka informuar lajm.me menjëherë, ku në një ambient ku ka pasur edhe fëmijë ka hyrë një person dhe ka provokuar, duke ofenduar shqiptarët e duke thënë “unë jam malazez dhe mund të ju bëj çfarë të dua”, ka pasur një heshtje të habitshme nga mediat.

Ndërkohë, lajm.me mëson se ky person është basketbollist i klubit të Ulqinit dhe quhet Andrija Pejovic. Ai më parë ka luajtur për klubin e Trebjesës së Nikshiqit. Për incidentin e fundjavës së kaluar, gjykata e Ulqinit e ka dënuar me 660 euro.

Në kohën kur shqiptarët kritikohen se kanë festuar në mënyrë paqësore për një ndeshje futbolli, një sportist përdor gjuhën e urrejtjes ndaj tyre dhe askush nuk reagon ndaj kësaj mediatikisht. Madje, as klubi i tij i basketbollit nuk ka bërë asnjë deklaratë publike lidhur me ngjarjen. Nuk çuditemi aq shumë nga mediat malazeze, por as portalet e Ulqinit nuk e kanë mbuluar çështjen, ose e kanë zbutur. 

Përndryshe, në klubin e basketbollit të Ulqinit luan vetëm një shqiptar, ndërsa zakonisht në ndeshjet e tyre salla mbushet nga shqiptarët.