Pse funksionerët shqiptar të PSD përkrahin Brajoviqin?

0

Edhe pak ditë kanë mbetur nga kongresi i PSD-së, dhe sikur të bëhej fjalë për një parti tjetër e cila gëzon 3-4% përkrahje në popull, ky fakt do të kalonte shumë më pak i vërejtur. Por pasi PSD është hallka kryesore në zinxhirin qeverisës, pa të cilën qeveria do të binte, atëherë është e kuptueshme që kongresi i saj të ketë vëmendjen e plotë të opinionit vendas.

Edhe pse asnjëri nga të dy kandidatët për kryetar (Brajoviq dhe Krivokapiq) nuk ofrojnë ndonjë gjë të re në qëndrimet e veta politike, ashpërsia me të cilën po ballafaqohen përkrahësit e tyre në media, duket se fsheh një çarje serioze brenda partisë. Dhe kjo çarje, tashmë është shumë e qartë, nuk ndodh për shkak të principeve politike të njërit apo tjetrit kandidat, por më tepër për një qasje tjetër ndaj pushtetit në përgjithësi. Për këtë pajtohen pothuajse të gjithë analistët në skenën politike malazeze.

Por një gjë e veçantë tërheq vëmendjen e çdokujt që kohët e fundit ka lexuar mediat vendase në lidhje me përkrahjen që i ofrohet njërit apo tjetrit kandidat. Derisa tek popujt tjerë ka funksionerë që përkrahin të dy kandidatët, tek shqiptarët po ndodh dicka tjetër. Pjesa dërrmuese e tyre, në mos të gjithë, janë rreshtuar në krah të kandidatit Ivan Brajoviq.

Një vrojtues i thjeshtë me të drejtë do të pyeste se pse ndhodh kjo. Ose të paktën do ti dukej çudi që këta ushtrues postesh për vite me radhë, pa kurrfarë merite tjetër përveç asaj politike, tia kthejnë shpinen kryetarit aktual gjatë mandatit të cilit ato edhe kishin arritur në këto poste.

Përgjigja në fakt duhet të kërkohet në pozitat që njëri apo tjetri kandidat kanë me pushtetin dhe partinë tjetër në të , PDS-në. Brajoviq njihet me kohë si “kuadër” i partisë më të madhe, sëbashku me disa funksionerë të tjerë, kurse Krivokapiq është pozicionuar si më “kokëfortë” kur ka ardhur puna tek disa çështje madhore. Por cka ka kjo lidhje me kuadrot shqiptar në këtë parti?

Duke menjanuar rastet e veçanta, të gjithë shqiptarët që gëzojnë poste apo privilegje në administratën shtetërore, i kanë fituar ato vetëm falë librezës partiake. Një ndarje, apo ndërrim i partnerit të koalicionit nga PDS-ja, me ndonjë parti tjetër, apo edhe ndonjë prekomponim i skenës politike malazeze, do të ishte shkatërrues për këtë parti. Dhe të parët që do të hanin fshesën, kuptohet, do të ishin zyrtarët shqiptarë. Kalimi në PDS në këtë rast do të ishte masiv, por jo edhe efektiv, pasi bëhet fjalë kryesisht për kuadro të konsumuar. Këtë skenar ato duket se e kanë analizuar shumë mirë, dhe qasja e tyre ndaj kandidatit Brajoviq është më se e kuptueshme.

Por kjo duket se është vetëm një anë e medaljes. Një rol të madh këtu luan edhe vetë PDS-ja. Ajo ka më tepër se 15 vjet që PSD-në e shfrytëzon si një amortizator të pakënaqësisë së zgjedhësve me politikën e vet. Këtë e dëshmon më së miri rezultati i zgjedhjeve të fundit në Tivar, kur PDS e gjunjëzuar nga aferat e kryetarit të atëhershëm të qytetit, po përballej me një rezultat të dobët zgjedhor. Gjatë këtyre zgjedhjeve ajo bëri një fushatë të zbehtë elektorale, duke ia lënë barrën, edhe fondet kuptohet, partnerit më të vogël, i cili në fakt po merrte votat e pakënaqura të PDS-së dhe partive nacionale. Rezultati doli ashtu sic edhe e kishin planifikuar, PDS humbi dy mandate (13 nga 15), PSD fitoi tre ( 8 nga 5), por në fakt numrat ishin ato që duheshin për formimin e koalicionit. Dhe nuk ka fare rëndësi se nga cila parti vijnë këto numra. Në Tivar, ku një pjesë e konsiderueshme votuesish shqiptarë votojnë PSD-në, gjërat janë më se të qarta, dallimi PDS-PSD tashmë nuk ekziston (nëse edhe ka ekzituar më parë), dhe këtë e dëshmon edhe përkrahja masive për Brajoviqin.

Në Ulqin situata nuk dallon shumë. Edhe pse në pamundësi të jetë në pushtet lokal, zyrtarët e kësaj partie gëzojnë poste në administratën shtetërore dhe kanë mjaft simpatizantë të punësuar.  Një shkëputje nga pushteti qëndror do tu largonte mënyrën e vetme të tërheqjes së votave. Atë të punësimit. Nëse shtojmë këtu edhe faktin se mjaft prej tyre karrierën e kanë filluar në PDS, por pa sukses, atëherë qëndrimi i tyre nuk habit askënd.

Këtu mund të shtohet edhe një lodhje e vetë PDS-së me partnerin më të vogël, i cili gjithmonë ka marrë ajkën e qeverisjes pa një kontribut të dukshëm. Këtë lodhje edhe vetë Gjukanoviq disa herë e ka potencuar në mënyrë indirekte në fjalimet e veta, sidomos kohët e fundit.

Në pritje të kongresit të kësaj partie, një gjë mund të thuhet me plot bindje. Pavarsisht se cili kandidat do të fitojë, ndryshime priten. Sa të thella dhe efektive do të jenë është vështirë të thuhet, por përsëri shqiptarët duken më të rrezikuarit.

Por kësaj rradhe vështirë se dikujt i vjen keq për ta.

 

Cen Durimmadhi