Provokon Zv/Kryeministri Daçiç: Nuk ka kosovarë, ka vetëm shqiptarë të Serbisë

0

‘Nuk ka kosovarë, por vetëm shqiptarë që jetojnë në Serbi”. Ka qenë kjo deklarata provokuese e zv/Kryeministrit të parë serb, Ivica Daçiç, i cili u shpreh se shqiptarët e Kosovës janë një pakicë e Serbisë. Ai hodhi poshtë gjithashtu idenë e mbajtjes së një referendumi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, duke nënvizuar se kjo çështje është mbyllur disa dekada më parë.
Zv/Kryeministri i parë i Serbisë, Ivica Daçiç, ka hedhur poshtë idenë e mbajtjes së një referendumi për të bashkuar Shqipërinë dhe Kosovën, duke deklaruar se shteti i Kosovës nuk ekziston.
Ai shkoi edhe më tej duke deklaruar se nuk ka shtetas kosovarë, por vetëm pakica shqiptare që jetojnë në Serbi.
Sipas tij, qytetarët e Kosovës janë thjesht një minoritet dhe se nuk mund të kenë të drejtë për vetëvendosje.

Daçiç: “E kemi diskutuar këtë çështje edhe para 20 apo 30 vitesh. Në Kosovë nuk jetojnë dy popuj, pasi nuk ka kosovarë. Ka vetëm shqiptarë që jetojnë në Serbi. Pra, thënë me fjalë më të thjeshta, qytetarët e Kosovës janë një minoritet i Serbisë. Populli shqiptar e ka ushtruar të drejtën për vetëvendosje, pasi e ka një shtet që është Shqipëria. Nga ana tjetër, shqiptarët e Kosovës janë një pakicë kombëtare. Sa i përket idesë së një referendumi, nuk besoj se diçka e tillë do të ndodhë, nëse dikush nga vendet perëndimore nuk do t’a mbështesë”.

E ndërkohë që zv/Kryeministri i parë i Serbisë bëri këtë deklaratë, pala serbe dhe ajo kosovare që drejtohet nga Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, nuk kanë arritur ende një marrëveshje për prefiksin telefonik.
Lajmi u përcoll nga vetë zyrtarja e qeverisë, e cila u shpreh se pavarësisht përparimit në disa aspekte, përfaqësuesit e vendeve respektive nuk gjetën një akord për zgjidhjen e kësaj çështje.
Shkak për këtë problem, sipas Ministres Tahiri, janë bërë pretendimet e shumta të palës serbe përtej vijave së kuqe që janë përcaktuar në marrëveshje të mëparshme.