Proceset integruese Mali i Zi – NATO

0

Shkruan: Granit Hoxha – Politolog

NATO është krijuar më 4 prill të vitit 1949 në Washington të SHBA-ve, nga dhjetë shtete të Evropës Perëndimore: Britania e Madhe, Franca, Italia, Beligjika, Norvegjia, Holanda, Islanda, Luksemburgu, Danimarka dhe Portugalia, dhe dy shtete të Amerikës Veriore: SHBA dhe Kanadaja. Sot, NATO ka 28 shtete anëtare, ku më 1 prill të vitit 2009 u bënë anëtare të saj dy shtete të Ballkanit Perëndimor, Kroacia dhe Shqipëria.

NATO është një organizatë politike dhe ushtarake e shteteve të Evropës dhe Amerikës Veriore, e krijuar në periudhën e Luftës së Ftohtë dhe të ndarjës së botës në dy blloqe antagoniste, perëndim-lindje. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, NATO dëshmoi se ishte njëra ndër organizatat ndërkombëtare më të frytshme në fushën e sigurisë, ku anëtarët e së cilës vazhdimisht shtohen dita-ditës.

Në bazë të Traktatit të NATO-s, shtetet anëtare marrin përsipër në përputhje me Kartën e OKB-së, se çdo mosmarrëveshje ndërkombëtare do ta zgjidhin me mjete paqësore në mënyrë që të ruhet paqja dhe siguria ndërkombëtare. NATO mbron lirinë e sigurinë e anëtarëve të saj, duke përdorur mjete politike e ushtarake në përputhje me qëllimet e parimet e OKB-së, si dhe mbron vlerat themelore të demokracisë, paqes, stabilitetit, të drejtat e njeriut, solidaritetit dhe mirëqenies.

Shtetet anëtare janë obliguar se të gjitha mosmarëveshjet do t’i zgjidhin me mjete paqësore në pajtim me rregullat e Kartës së OKB-së, do të rezervohen nga kërcënimi ose nga përdorimi i forcës në marrëdheniet ndërkombëtare, do të ndihmojnë njëra-tjetrën, si dhe janë pajtuar që çfarëdo sulmi i armatosur kundër një anëtari apo disa anëtarëve, konsiderohet si një sulm kundër të gjithëve i pranuar nga Karta e OKB-së.

Përveç prioritetit të integrimit në BE, një prioritet tjetër kyç i Malit të Zi është integrimi në NATO. Mali i Zi ka shprehur në mënyrë të qartë angazhimin e tij për integrim në NATO, si një nga interesat më të rëndësishme, me besimin se anëtarësimi në NATO garanton integritetin territorial, pavarësinë politike, stabilitetin dhe sigurinë afatgjate të Ballkanit Perëndimor.

Kuvendi i Malit të Zi më 27 nëntor të vitit 2008 ka miratuar Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, e cila fokusohet në mundësitë e Malit të Zi dhe përpjekjet për t’u përshtatur me ndryshimet globale, duke kontribuar në ruajtjen e paqës e sigurisë dhe vendosjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo strategji konfirmon përkushtimin e Malit të Zi për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të përmbushur kushtet për integrimin e Malit të Zi në strukturat euroatlantike, ku në këtë kontekst qëllimi strategjik i Malit të Zi është të anëtarësohet sa më shpejt në NATO dhe BE.

Integrimi në NATO është qëllim strategjik shumë i rëndësishëm dhe i nevojshëm për Malin e Zi, pasi do të përshpejtoi integrimin në BE. Duke u integruar në NATO dhe duke zhvilluar marrëdhënie me NATO-n përmes programeve dhe mekanizmave të saj, Mali i Zi do të ketë një kornizë optimale për parandalimin e kërcënimeve të mundshme, sfidave dhe rreziqeve për stabilitetin e vendit dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu, integrimi në NATO i Malit të Zi do të promovoi një imazh të demokracisë stabile, si dhe përmirësimin e zhvillimit ekonomik përmes sigurisë që ofron NATO për anëtarët e saj, duke tërhequr investitorë të huaj. Plotësimi i kushteve për anëtarësim në NATO lehtëson dhe ndihmon plotësimin e kushteve për anëtarësim në BE, pasi integrimi në këto struktura euroatlantike përmban një lidhshmëri ndërmjet tyre.